Kafka dhe mbetjet kockore të gjetura pasditen e së dielës në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë dërguar për ekzaminim në institutin e mjekësisë ligjore në Tiranë.
Ekspertet e policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe deri më tani, dyshohet se kafka i përket një të riu që mund të ketë humbur jetën gjatë 10 viteve të fundit. Për të vërtetuar dyshimet do të verifikohet e gjithë lista e personave që rezultojnë të zhdukur, përfshirë dhe një 28-vjeçar nga zona Adriatikut afër vendit ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore.
Familjarëve të të riut do ju merret ADN-ja për të bërë krahasimin, ndërsa ekzaminimet do të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo personi në fjalë mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe natyrale. Kafka dhe mbetjet kockore u pikasen nga një banor, në një zonë me ferra dhe shkurre 30 metra larg rrugës që lidh Fushe-Kuqen me Adriatikun.
Ai ka njoftuar policinë në lidhje me rastin dhe blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes. Ferrat dhe shkurret ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore ishte përfshire nga flaket e zjarrit 10 ditë më parë, e që prej asaj kohë në zonë kishte nisur të ndjehej aromë e rëndë, duke shqetësuar banoret të cilët i kanë shtëpitë e tyre 200 metra më larg.


