Ergys Ahmetjan, Andi Basha e Gëzim Kusi, janë lënë me masë sigurie ‘’arrest me burg’’ nga Gjykata e Tiranës, si pjesë e grupit të gjobvënësve të bizneseve, të cilët shtireshin si zyrtarë të lartë në Tiranë.
Nga dosja hetimore rezulton se tre të rinjtë përdornin emra zyrtarësh të lartë, si ai i kreut të Kadastrës Artan Lame, por edhe personash me precedent kriminale si ato të fisit Bajri në Shkodër, për të zhvatur para nga bizneset.
Në denoncmimin e bërë në polici nga biznesmeni E.Ç., thuhet se i kishin kërkuar 40 mijë euro, teksa konfirmon edhe një takim me Andi Bashën. Kur bizneset nuk bindeshin, gjobat merreshin edhe me presion, duke përmendur fisin e Bajrave të Shkodrës.
Gjithçka nisi me Florian Gjinin, i cili është i shpallur në kërkim për mashtrim, i përfshirë edhe në gjobvënien e një biznesmeni ndërtimi në kryeqytet.
Floriani, i cili njihej prej 4 muajsh (sipas dëshmisë së Ergys Ahmetajt), kishte ardhur në Tiranë dhe ishte takuar fillimisht me këtë të fundit dhe më pas i kishte shkruar që t’i gjente një person që do i merrte një porosi, për t’ia çuar në vendin ku ndodhej ai, që në këtë rast ishin 40 mijë eurot.
Në këmbim, sipas dëshmisë së Ergysit, Floriani kishte premtuar 500 euro. Këtu nis dhe përfshirja e Gëzim Kusit dhe Andi Bashës. Gëzim Kusi, mik me Ergysin nuk e pranoi fillimisht dhe i sugjeroi Andi Bashën, i cili e pranoi ofertën.
Tre të rinjve të arrestuar iu sekuestruan 89.400 euro në banesat e tyre dhe aparatet celularë. I shpallur në kërkim është edhe Florian Gjini, i cili ka qenë i përfshirë edhe në mashtrimin e biznesmenit Pëllumb Salillari.


