Përfundojnë hetimet për grabitjen e një viti më parë në Aeroportin e Rinasit, Prokuroria dërgon për gjykim dosjen.
Më shumë se 6 milion euro u rrëmbyen rreth një vit më parë, në prill të 2019, nga grupi kriminal që e kishte menduar me detaje skemën e grabitjes.
Të pandehur janë tetë persona, ndër ta vëllezërit Çala, si dhe i shumëkërkuari nga drejtësia Talo Çela.
Të pandehur: Eldi Çala, Klement Çala, Oltion Veseli, Talo Çela, Saimir Çela, Elton Pikli, Renaldo Sula, Alkond Bengasi
Ndërsa për Ragip Hajdinin, i njohur edhe me pseudonimin “daja”, janë pushuar akuzat pasi ndërroi jetë në burg pak muaj më parë.
Në këtë grabitje mbeti i vrarë Admir Murataj, i konsideruar si “koka e grupit”, ndërsa seria e vrasjeve dhe atentateve do t’i ndiqte nga pas të gjithë pjesëmarrësit.
Kujtojmë vrasjen e dyfishtë të Viktor dhe Besmir Haxhias, ku i dyshuari kryesor ende në arrati, Talo Çela, mendohet t’i ketë ekzekutuar për shkak të ngatërresave që kishin lindur me paratë e grabitjes në Rinas, të cilat Talo Çela ua kishte dhënë dy vëllezërve t’i ruanin.