Dy organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, PRO-LGBT dhe Aleanca kundër diskriminimit LGBT, kanë reaguar pas letrës së ministreve të Qeverisë shqiptare, drejtuar deputetëve të Holandës, për hapjen e negociatave.
Reagimi vjen pas deklaratës së Kishës Katolike, që e shihte këtë letër si problematike, pasi ministren lavdëronin Holandën për martesat gay dhe abortet.
Por, organizatat që mbrojnë homoseksualët në Tiranë, u ankuan njëkohësisht për letrën e grave ministre, ashtu edhe për deklaratën e arqipeshkvit Frendo.
Organizatat kritikuan kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të krijojë një imazh të pavërtetë mbi të drejtat e grupeve të margjinalizuara në Shqipëri.
“Premtimet boshe të qeverisë dhe deklaratat e pabazuara dhe hipokrite minojnë ndjeshëm përpjekjet tona për bashkëpunim me institucionet shtetërore,” thuhet në deklaratë.
“Për sa i përket reagimeve të përfaqësuesve të klerit katolik, që shqetësohen pse ministret marrin përsipër të flasin në emër të popullit shqiptar, risjellim në vëmendje faktin se dhe vetë këto individë nuk kanë tagrin për të folur në emër të shqiptarëve dhe të drejtën për të vendosur se çfarë do të bëjnë gratë dhe vajzat e këtij vendi me trupin e tyre,” vijon më tej deklarata.


