Grupet parlamentare të PD dhe LSI kanë zhvilluar pasditen e sotme një mbledhje të përbashkët, pas situatës së krijuar me arrestimet e protestuesve në Rrugën e Kombit. Në këtë mbledhje, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi është shprehur se opozita do të mbështetë qytetarët, dhe do të zhvillohen protesta popullore.
Ajo tha se opozita nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Rama.
“Ne nuk ndalemi. Do t’i shkojmë deri në fund, derisa Rama të ikë. Të ecim të gjithë përpara bashkë. Sa më të forte të jemi ne, aq më i mbaruar është Rama. Ju e patë si qau dje. Rama një frikacak. E kanë lëshuar të gjithë njerëzit e tij. Keni parë ndonjë ministër socialist që të dalë ta mbrojë? Asnjë! Sepse askush nuk do të bëhet palë dhe të marrë damkën e antishqiptarit. Kuksianët na dhanë një mësim të paparë, që ne të mos ndalemi më. Detyrimi ynë moral t’u qëndrojmë në krah dhe t’u japim më shumë forcë. Nuk mundet që një i çmendur si Edi Rama të zhdukë shqiptarët. Duhet të ndajmë mendjen të gjithë. Ku i kemi dhe ku nuk i kemi njerëzit. Sot kemi vetëm një merak: të rrëzojmë Ramën. Këtë përbindësh që po i merr frymën vendit. Une jam gati dhe siç jam unë gati dhe deputetët e LSI janë gati”, ka thënë kryetarja e LSI në mbledhje.


