Flakët gjigante kanë përfshirë një magazinë ku tregtoheshin pajisje elektrike në Tiranë pasditen e kësaj të hëne, ndërsa nga flakët rrezikohet të digjet dhe një banesë.
Zjarri ka rënë në rrugën “Siri Kodra” pranë Stacionit të Trenit ku siç duket nga pamjet e siguruara nga Report Tv flakët janë masive dhe të frikshme.
Foto nga vendi i ngjarjes


Tetë zjarrfikëse dhe forca të shumta policie ndodhen në vendin e ngjarjes. Flakët rrezikojnë edhe një pikë karburanti e dy banesa ngjitur me magazinën. Paraprakisht nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale përllogariten të konsiderueshme. Mbeten të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.
Banorët kanë thënë që shpeshherë kanë dëgjuar edhe shpërthime, ngaqë materialet bëjnë një zhurmë që duket si shpërthim kur digjet.
Zona paraqitet e rrezikshme, edhe pse flakët tashmë janë me intensitet të ulët dhe janë shuar pjesërisht.
Zona nuk furnizohet me energji për të shmangur pasoja më të mëdha.Godina e përfshirë nga flakët besojmë se është 4 katëshe. Situata është nën kontroll nga forcat zjarrëfikëse, ato janë ndihmuar edhe nga banorët e zonës.
Si pasojë e zjarrit të fuqishëm, godina mund të shembet pasi gjithçka është shkrumbuar, dhe pjesë të saj bien nga dritaret.
Sasia e zjarrit ishte shumë e madhe por për fat të mirë materialet e zjarrit nuk ishin të tilla që të nxisnin madhësinë e zjarrit.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Tiranë
Me datë 02.04.2018, rreth orës 19:30, në rrugën “Siri Kodra”, në një magazinë ka rënë zjarr.
Menjëher në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrëfikësja ku po punohet për fikjen e zjarrit dhe evakuimin i banorëve të ndodhur në banesat pranë. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.



