Ambasadori i Rusisë në Britaninë e Madhe, Aleksandr Yakovenko, ka njoftuar se dy shtetet janë pajtuar që t’i rikthejnë dhjetëra zyrtarë të personelit diplomatik në vendet e tyre të punës pasi ishin dëbuar nga të dyja palët për rastin e helmimit të agjentit sekret në Salisbury.
Ai deklaroi për një televizion rus se stafi i të dy ambasadave do të rikthehet në pozitat e mëparshme duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm. “Nuk jam i sigurt nëse do të përfshihen të gjithë të punësuarit, por të paktën gjysma e stafit do të rikthehen”, tha ai.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Yulia, në mars të këtij viti. Britania e Madhe i kishte dëbuar 23 diplomatë rusë për shkak të këtij skandali, ndërsa me të njëjtin numër të të dëbuarve ishte kundërpërgjigjur edhe Rusia.
Rusia e kishte urdhëruar edhe mbylljen e konsullatës britanike në Shën Petërsburg dhe zyret e Këshillit Britanik në tërë Rusinë. Londra e ka fajësuar Moskën për helmimin e ish-agjentit, ndonëse Rusia i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat për këtë rast, shkruan “Free Europe”


