Në një dalje për mediat kryesuesja e Task Forcës Antikorrupsion, njëkohësisht ministre, Etlida Gjonaj tha se ka rekomanduar paralajmërim me largim nga puna për kryeregjistruesin e Lushnjes dhe 5 specialistë.
Gjonaj tha se në këtë ZRPP janë konstatuar shkelje në respektimin e afateve të trajtimit të kërkesave të qytetarëve.
“Task forca antikorrupsion ka vijuar edhe gjatë dy javëve të kaluara me kontrolle dhe inspektime në një sërë institucionesh dhe agjencish për të cilat ka pasur denoncime për korrupsion apo abuzime me detyrën.
Gjatë javës së kaluar task forca antikorrupsion ka zhvilluar një kontroll në ZRPP në Lushnje. Nga ky kontroll janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish.
Veçanërisht në respektimin e afateve të trajtimit dhe kërkesave të qytetarëve, çka ka bërë që në këtë ZRPP të ketë një numër të madh praktikash të prapambetura ende të pa trajtuara.
Janë konstatuar shkelje të urdhrave dhe rregullove në lidhje me organizimin e brendshëm të punës dhe bashkërendimin me ALUIZNI-n për procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara. Për shkeljet task forca antikorrupsion ka rekomanduar dhënien e masave disiplinore vërejtje me paralajmërim për regjistruesin e ZRPP Lushnje si dhe për 5 specialistë të kësaj zyre”, tha ajo.


