Shumë njerëz mendojnë se vetëm duhani rrezikon shëndetin e fytit dhe kordave vokale, por specialistët paralajmërojnë se edhe disa zakone të përditshme mund të shkaktojnë dëmtime serioze, madje të rrisin rrezikun për sëmundje të rënda.
Ngjirja e zërit, ndjesia e një “gungëze” në fyt apo lodhja gjatë të folurit shpesh anashkalohen si shqetësime kalimtare. Megjithatë, mjekët theksojnë se këto mund të jenë sinjalet e para që tregojnë probleme me kordat vokale ose laringun.
Duhani dhe cigaret elektronike, një rrezik i madh për zërin?
Pirja e duhanit vazhdon të jetë një nga faktorët kryesorë të rrezikut për dëmtimin e kordave vokale dhe zhvillimin e kancerit të laringut. Por rreziku nuk kufizohet vetëm te duhanpirësit aktivë. Edhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit mund të ndikojë negativisht në shëndetin e fytit.
Ekspertët paralajmërojnë se as cigaret elektronike nuk janë një alternativë e sigurt. Sipas studimeve, avujt e tyre mund të irritojnë dhe dëmtojnë kordat vokale në mënyrë të ngjashme me cigaret tradicionale.
Edhe përdorimi i tepruar i zërit si; bërtitjet në stadiume, koncerte apo të folurit me zë të lartë për periudha të gjata, mund të shkaktojë dëmtime, duke favorizuar formimin e nyjeve në kordat vokale, të njohura edhe si “nyjet e këngëtarëve”.
Të shëndetshëm, por me rrezik të lartë për Alzheimer? E zbulon një test gjaku!
Refluksi, armiku që shpesh kalon pa u vënë re!
Një tjetër shkaktar i rëndësishëm është refluksi gastroezofageal (GERD), kur acidi i stomakut ngjitet deri në fyt dhe laring.
Specialistët shpjegojnë se ky acid mund të irritojë vazhdimisht mukozën e kordave vokale dhe, në disa raste, të rrisë edhe rrezikun për zhvillimin e kancerit të laringut.
Shumë persona nuk përjetojnë urth, ndaj simptomat e vetme mund të jenë kruarja e fytit, djegia, kolla e vazhdueshme ose ndjesia sikur kanë një “gungë” në fyt.
Për këtë arsye rekomandohet të shmanget shtrirja menjëherë pas ngrënies, si edhe aktiviteti fizik ose këndimi me stomakun plot.
Temperatura e ushqimeve ka rëndësi?
Mjekët këshillojnë të shmangen ushqimet dhe pijet shumë të nxehta, shumë të ftohta ose tepër pikante, pasi irritojnë mukozën e fytit dhe mund të ndikojnë negativisht te zëri.
Për të mbajtur kordat vokale të shëndetshme rekomandohet:
-të pini mjaftueshëm ujë gjatë ditës;
-të kujdeseni për higjienën e gojës dhe fytit;
-të mbani të hidratuara rrugët e frymëmarrjes sipas këshillës së mjekut.
Çfarë hanë në të vërtetë fëmijët e 100-vjeçarëve
Kur duhet të kërkoni ndihmë?
Nëse ngjirja e zërit vazhdon më shumë se dy ose tre javë, specialistët rekomandojnë një vizitë te mjeku otorinolaringolog ose foniatër.
Ngjirja e zgjatur nuk duhet të neglizhohet, pasi në disa raste mund të jetë shenja e parë e kancerit të laringut. Diagnostikimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë e trajtimit të suksesshëm.
Sot ekzistojnë metoda moderne diagnostikuese, si endovideolaringostroboskopia, një procedurë e shpejtë, pa dhimbje dhe pa nevojë për anestezi, e cila u lejon specialistëve të vëzhgojnë me saktësi gjendjen e kordave vokale.
Ekspertët kujtojnë se kujdesi për zërin nuk është i rëndësishëm vetëm për këngëtarët apo aktorët. Çdo person që përdor zërin në jetën e përditshme ose në punë duhet t’u kushtojë vëmendje shenjave paralajmëruese dhe të mos i neglizhojë ato. /TAR/


