Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia ishin nën “ethet e ftohta” të marrjes së përgjigjes nëse do të hapeshin negociatat apo jo me vendet e Unionit Europian, pas dyerve të Këshillit Europian në Luksemburg debatohej për rendin e ditës të mbledhjes së 28 qershorit.
Kjo e fundit një mbledhje jo dosido. Të paktën për nga rëndësia kishte peshën e “fjalës” PO për vendin tonë, dhe për fqinjin tonë, Maqedoninë.
Mbrëmjen e djeshme para se të errësohej mirë në Tiranë, në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme mbërriti lajmi se diskutimi për negociatat Shqipëri-BE janë “regjistruar” për qershorin e vitit 2019.
Një lajm ky i cili u prit sa me polemika (nga Opozita) dhe me diskutime dhe qëndrime ndaj reformave (nga Mazhoranca).
POR SI RRODHËN NGJARJET TË MARTËN E “26-të”?
Media gjermane “DeutcheWelle” kishte paraqitur një qëndrim të deputetëve të CDU dhe CSU e SPD (parti në koalicion të Bundestagut gjerman) të cilët shpreheshin pozitivisht për arritjen e reformave rrënjësore qeveritare dhe juridike në vendin tonë.
Kronologjia e ngjarjeve vijon me disa qëndrime të eurokomisionerëve Kukan, Flecknestain, Fajon, Macovei, të cilët i nisën një letër-propozim kreut të Këshillit Europian Donald Tusk për lobim të mëtejshëm për dhënien e statusit të vendit-negociator Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Më vonë një lajm lidhur me “Planin B” të kançelares Merkel për hapjen e negociatave në vitin 2019 mori akoma më tepër ngjyra drejt përgjigjes që do të merrte ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme Bushati.
Gjermania “optimiste” ka një skenar tjetër për çeljen e negociatave. Thuhet se kançelarja Angela Merkel po mendon një plan B të cilin pritet ta vërë në vijë menjëherë pas publikimit të vendimit të KE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë ditën e enjte.
Se cili është ky mbetet për të parë në vijimësi.
Pak më vonë gjatë ditës së martë, eurokomisioneri Johannes Hahn për çështjet e Ballkanit juglindor bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ se pas mbledhjes së vendeve të BE-së në Luksemburg u vendos shtyrja e bisedimeve për negociatat për të dyja vendet në qershor të 2019-ën.
Hahn gjithashtu komentoi mundësinë e “artë” të Shqipërisë dhe Maqedonisë për të thelluar rezultatet pozitive të reformave kryesisht anti-korrupsion, kundër krimit të organizuar, dhe ndaj reformës në drejtësi.
Fill pas lajmit për vendosjen e qershorit të 2019-ës si afat negociues për bisedimet menjëherë erdhën reagimet e para nga radhët e politikanëve shqiptarë. Nga opozita reagime erdhën nga deputetët Edi Paloka, Grida Duma, Ervin Salianji, Genc Pollo, etj. Si edhe nga kreu dhe ish-kreu i PD-së Basha dhe Berisha.
Ndërkohë në një konferencë për mediat, ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme komentoi afatin e përcaktuar si një kohë që Shqipëria do ta përdorë për të rritur vigjilencën ndaj reformave të ndërmarra.
Më tej ai theksoi:
“Shqipëria është në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Evropian. Kursi i reformave që ka marrë Shqipëria, është një kurs impresionues, i cili natyrisht duhet të thellohet më tej në ditët dhe në muajt në vijim”.
Ndërsa kryeministri Rama disa minuta më vonë në një status në faqen e tij në ‘FB’ shkruajti:
“Pas 72orësh mes dallgëve të brendshme të BE Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon!”.
Ndonëse shtyrja e negociatave për qershorin e vitit 2019-të është një qëndrim i qartë i vendeve të BE-së për t’i dhënë mundësinë dy vendeve për t’u përmirësuar, mbetet për t’u parë ecuria e reformave.
Ky ka qenë theksi në disa prej mediave që përcjellin vendimet e BE-së.
Përgatiti: AlpeNews.al


