Ministri i brendshëm i vendit, Sandër Lleshaj në intervistën për emisionin në “Pa Protokoll” në Report Tv tha se Shqipëria në këto momente është në parametrat më të mira të 30 viteve të fundit për sa i përket kriminalitetit. Lleshaj theksoi se pandemia nuk ka ndikuar në nivelin e krimeve në vend edhe pse njerëzit ishin të detyruar të qëndronin të mbyllur.
“Unë merrem me gjendjen e rendit dhe jo me rastet e shkëputura dhe dua ta bëj këtë dallim. Këto raste konkrete zgjojnë edhe më shumë interesin e gazetarëve, të cilët ma bëjnë shpesh këtë pyetje, por përgjithësisht unë nuk merrem me rastet konkrete. Për sa i përket gjendjes së rendit dhe të sigurisë publike, mund të pohoj me qetësi të plotë, nuk po them me krenari se krenarinë mundohem ta evitoj nga fjalori, por mund të them me një qetësi të plotë, që parametrat kryesorë që karakterizojnë rendin dhe sigurinë publike në Shqipëri janë më të mirët të regjistruar në historinë e 30 viteve të fundit, referuar shifrave të pakundërshtueshme në të gjithë ata sektorë, të cilët e karakterizojnë në mënyrë objektive sigurinë dhe rendin publik në Shqipëri”, tha Lleshaj.


