Virusi vdekjeprurës, COVID-19 ka ulur ritmet e tij të përhapjes në Kinë, ndërsa 327 raste të reja raportohen në 24 orët e fundit. Sipas raportimeve, ka shkuar në 2,858 numri i viktimave në shkallë globale, ndërsa 83,386 persona janë konfirmuar të infektuar. Sipas të dhënave nga Autoritetet Shëndetësore, rreth 37 mijë persona janë rikuperuar pas infektimit me virusin.
Mirëpo, pavarësisht se ritmet e COVID-19 po ngadalësohen në Kinë, rreziku për përhapjen e tij në botë është gjithnjë e më i lartë, me raste të raportuara në çdo kontinent përveç Antarktidës.
Rastet e raportuara të virusit u konfirmuan në Spanjë, Francë, Nigeri dhe Emiratet e Bashkuara Arabe brenda natës, ndërsa shpërthimet në Korenë e Jugut, Itali dhe Iran vazhduan të përkeqësohen.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi këtë të enjte se “shpërthimi i koronavirusit në pjesën tjetër të botës, përbën shqetësimin më të madh”.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha se bashkësia ndërkombëtare ndodhet “në një pikë vendimtare” dhe se “nëse veprohet në mënyrë agresive tani, virusi mund të përmbahet, mund të parandalohet që të tjerë njerëz të sëmuren e të shpëtohen jetë”, siç tha ai.
Autoritetet shëndetësore i frikësohen faktit se Koreja e Jugut dhe Italia rrezikojnë të kthehen në vatra të COVID-19, me ritmet që koronavirusi po ecën tani.
650 persona janë testuar pozitivisht për koronavirusin në Itali, thanë zyrtarët. Në të gjithë Evropën, të paktën 11 vende deri tani kanë konfirmuar raste të virusit, ku shumica prej pacientëve janë infektuar pasi kanë vizituar rajonin e Lombardisë, qendër e shpërthimit në Itali.
Po ashtu, Irani, i cili është në pararojë të krizës në Lindjen e Mesme, ka raportuar gjithsej 245 raste, dhe 26 vdekje. Ndërsa, Koreja e Jugut ka regjistruar deri tani 13 të vdekur, 334 raste të reja, dhe gjithsej 1.595 të infektuar deri tani.


