Pas vlerësimit të testeve, dikasteri i shëndetësisë ka zbardhur pikët e fituara nga qindra infermierët që iu nënshtruan provimit me shkrim në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, dy ditë më parë. Konkretisht bëhet fjalë për infermierët në qarkun e Elbasanit, Fierit, Korçës, Gjirokastrës, Beratit, si dhe të Vlorës , të cilët janë në garë për të fituar vendet e lira të punës të raportuara në qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe spitalet publike të vendit.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara rezultatet 573 kandidatëve që iu nënshtruan provimit me shkrim. Ndërkohë që më herët për secilin prej këtyre kandidatëve janë detajuar edhe pikët e fituara nga faza e parë e konkurimit me anë të dosjes.
Në këto kushte, të drejtën për të fituar kontratat e lira të punës në institucionet mjekësore publike e kanë të gjithë kandidatët që kanë siguruar nivelin më të lartë të pikëve në të dyja fazat e vlerësimit. Këta kandidatë do të ftohen të parët në zgjedhjen e vendeve të punës. Testimet me shkrim do të vijojnë edhe përgjatë ditëve në vijim me specialistët e profileve të tjera mjekësore.
Sipas afateve të përcaktuara nga dikasteri i shëndetësisë, provimet do të vijojnë më në datën 16 shkurt me kandidatët në profilet Mami, Teknik laboratori, Teknik imazherie, si dhe Fizioterapi të qarqeve Shkodër,Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës dhe Dibër, për të përfunduar më pas në datën 17 shkurt me kandidatët e po këtyre profileve , por të qarqeve në Elbasan, Korçë, Berat Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Testi përbëhet nga dy pjesë.
Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri.
Pjesa e dytë përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete.Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (20 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (50 pikë).