Ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi ka vendosur t’i bashkohet protestës së 27 janarit, ndërsa nuk ka kursyer edhe ironitë në drejtim të liderit të demokratëve, Lulzim Basha.
Përmes një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Patozi thekson se nuk ka asnjë arsye që të ndjek rrugën e Bashës, por ka mijëra të tjera për të qenë atij ku i takon.
“Natyrisht arsyet e mia pse do të jem atje janë krejtësisht të tjera me të Lulzim Bashës, po aq sa janë edhe përgjegjësitë për katandisjen e Partisë Demokratike në një gjendje dëshpëruese, të cilën nuk e zgjidh dot kjo protestë, edhe sikur të jetë më madhështorja e të gjitha kohërave.
Unë do të jem atje edhe pse e di që Lulzim Basha do të përpiqet ta privatizojë protestën thjesht dhe vetëm për të shtyrë ditët e veta.
Por edhe pse sikur e kam para syve që tani se si do ta shfrytëzojë revoltën e sinqertë të njerëzve, sërish ky më duket hall më i vogël, sesa kostoja që paguajmë për qeverisjen skandaloze të Edi Ramës.”, shkruan Patozi.
Mes të tjerash ai u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëhen pjesë e protestës së të shtunës, pasi sipas tij ajo është dita për të treguar se Shqipëria nuk e meriton qeverinë e Edi Ramës.


