Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, për fillimin e hetimeve nga SPAK lidhur me faljen e gjobave nga qeveria para zgjedhjeve të 11 majit. Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtarja Nertina Kosova, falja e gjobave nuk mund të merret si objekt hetimi penal, pasi nuk përbën shkelje penale.
Kjo kërkesë erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Kalaja në SPAK më 27 maj, ku ai akuzoi qeverinë për ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor, përmes miratimit të një vendimi që falte një sërë gjobash dhe masash administrative të paekzekutuara deri në 15 janar 2025, të cilat ishin vendosur nga inspektorate të ndryshme, përfshirë ato të mbrojtjes së territorit, të shëndetësisë dhe autoritetet e tjera shtetërore.
Vendimi i qeverisë për faljen e këtyre gjobave ka përfshirë periudhën nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024, dhe i është aplikua një numri të madh qytetarësh dhe bizneseve që kishin gjoba të paekzekutuara.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Aulon Kalaja ka deklaruar se do të vijojë përpjekjet e tij për të ndjekur këtë çështje, duke u drejtuar më tej Gjykatës së Lartë me rekurs. Ai theksoi se nuk do të ndalet dhe do të kërkojë që kjo çështje të hetohet si një mundshme shkelje e ligjit dhe ndikim në procesin zgjedhor.
Bëhet fjalë për gjoba të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga:
a) inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
b) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
c) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ç) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
d) Policia e Shtetit;
dh) Policia Bashkiake.


