Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ku siguruan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, ka hapur debate mes republikanëve për përgjegjësitë e humbjes.
Sipas The Independent, sekretari i Shtetit, Marko Rubio, po mendon të largohet nga administrata për t’u distancuar nga presidenti Donald Trump dhe për t’u përgatitur për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Një aleat i tij ka deklaruar se qëndrimi në administratë mund t’i dëmtojë perspektivat politike.
Ndërkohë, sipas CNN, Dhoma e Përfaqësuesve mund të votojë që javën e ardhshme për nisjen e procedurës së shkarkimit të sekretarit të Mbrojtjes, Pit Hegseth. Disa republikanë e konsiderojnë atë përgjegjës për rolin që dyshohet se ka luajtur në bindjen e Trump për të sulmuar Iranin pa një strategji për përfundimin e konfliktit.
Megjithatë, Trump ka këmbëngulur se do ta mbajë Hegseth në detyrë. “Kam marrë telefonata me ankesa për të, por nuk e kuptoj pse”, ka deklaruar presidenti për ABC.
Kritikat kanë ardhur edhe nga vetë republikanët. Senatori i Teksasit, Ted Kruz, e ka cilësuar rezultatin si një “cunami blu”, duke fajësuar çmimet e larta, tarifat doganore dhe zgjatjen e luftës me Iranin.
Edhe mediat e Rupert Murdoch kanë ndryshuar tonin ndaj Trump. New York Post i ka kërkuar presidentit të shohë veten në pasqyrë për të gjetur përgjegjësin e humbjes, ndërsa Wall Street Journal e ka cilësuar atë “arkitektin kryesor” të disfatës republikane.
Sipas Fox News, zëvendëspresidenti J.D Vance po përpiqet të krijojë një aleancë të re me republikanët e pakënaqur nga Trump, me synimin për zgjedhjet e vitit 2028.
Nga ana tjetër, Trump ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me demokratët. “Besoj se mund të merremi vesh. Do të ishte mirë për vendin”, ka deklaruar ai për ABC.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka shprehur shpresën se fitorja e demokratëve do të sjellë më shumë mbështetje amerikane për Ukrainën.


