Po shkonin si çdo ditë në punë, drejt hidrocentralit të Komanit, por mëngjësi i së mërkurës (8 gusht) për pak nuk u kthye në tragjedi për Klajdi Shehun, Ilir Shpendin dhe Arment Lalollarin.
Tre punonjësit e hidrocentralit që vinin nga Tirana, përfunduan në një humnerë me mjetin me të cilin po udhëtonin.
Pak kilometra pa mbërritur në vendin e punës, gjatë hyrjes në një nga kthesat e shumta që ka kjo rrugë, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe për pasojë përfundoj disa metra poshtë rrugës, ku nga rrokullisjet e shumta, ata morën plagë të forta në kokë dhe trup.
Tre të dëmtuarit për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u dërguan me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Gjendja e tyre sipas mjekëve vlerësohet e rëndë, pasi frakturat e shkaktuara në disa pjesë të trupit janë të shumta.
Grupi hetimor që mbërriti në vendngjarje nisi hetimet për shkaqet e këtij aksidenti.
KTHESA
Ata rindërtuan skemën e plotë, se dyshohet që mjeti kur ka hyrë në kthesë ka qënë duke lëvizur me shpejtësi dhe kjo ka ndikuar që të humbë kontrollin.
“Nga veprimet e para dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin për shkak të një kthese të fortë” informoi dhe policia e Shkodrës.
Gjithashtu rruga e amortizuar nuk ka lejuar manovrimet dhe për pasojë ata kanë përfunduar në humnerë. Por një tjetër pistë është edhe ajo e ndonjë defekti që mund të ketë pësuar makina, gjë që do të dalë në përfundim të ekspertizës.
Rruga Shkoder – Koman në vite ka shkaktuar aksidente të shumta, e shpesh me pasoja fatale për jetën. Në 55 kilometrat e saj kjo rrugë në të cilën nuk është ndërhyrë prej periudhës së komunizmit, është tejet e amortizuar, me kthesa të rrezikshme që nuk kanë asnjë mbrojtëse anësore dhe pa sinjalistike.
Megjithëse çdo ditë në të kalojnë punonjësit e hidrocentralit dhe banorë të zonës, e turistë të shumtë, vemendja që ka patur shteti për këtë rrugë nuk ka nevojë për shumë komente.
Në 23 korrik të 2016-es, në këtë rrugë një 23 vjeçar përfundoj në humnerë me mjetin e tij dhe mbeti i plagosur.
Në 23 nëntor 2014, po një tjetër aksident në këtë rrugë i mori jetën 3 shtetasve dhe 1 tjetër mbeti i plagosur. Pa përmendur me dhjetra të tjerë të ndodhur ndër vite.