Ish-kreu katalanas Carles Puigdemont ka konfirmuar se ai dhe disa ministra do të qëndrojnë në Bruksel deri në momentin e paraqitjes në gjykatë për akuzat mbi pavarësinë e Katalonjës shkruan BBC.
Puigdemont dhe 13 nga ish-ministrat e tij duhet të paraqiten të enjten në Gjykatën e Lartë në Madrid.
Prokurori i shtetit spanjoll ka njoftuar më parë se do të kërkonte akuza për rebelim, kryengritje dhe keqpërdorim të fondeve publike kundër udhëheqësit dhe anëtarëve kryesorë të administratës.
Ndërkohë në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Puigdemont i përshkroi thirrjet e qeverisë si “pa bazë ligjore” dhe gjykimin si “politik”.
“Ne marrim dënimet e burgut që na presin si një denoncim të situatës që demokracia po vuan në Spanjë dhe si një thirrje për lirinë e popullit tonë”, lexoi deklaratën, e cila i krahasoi dënimet si ekuivalente me ato që zakonisht lidhen me ” krime të tilla si vrasje apo terrorizëm. ”
Deklarata konfirmoi gjithashtu se ndërsa Puigdemont dhe disa prej ministrave të tij do të mbeten në qytetin belg, një numër i papërcaktuar do të shfaqet në gjykatë të enjten në Madrid.
Disa nga ministrat e Puigdemont janë parë duke u kthyer në Barcelonë të mërkurën, por është e paqartë nëse ata do të paraqiten në gjykatë.
Spanja u zhyt në krizën më të keqe politike në dekadë pasi administrata e Puigdemont mbajti një referendum të pavarësisë më 1 tetor. Kriza arriti kulmin të premten e javës së shkuar, kur parlamenti katalanas shpalli pavarësinë e njëanshme. Madridi reagoi duke pezulluar autonominë e rajonit, duke shkarkuar qeverinë dhe duke imponuar sundimin direkt.
/AlpeNews.al/


