Kostitucionalisti i njohur, Njazi Jaho, ngre dyshime se përse u lejua për një kohë të gjatë të publikohej në media pjesë nga “dosja Dumani”, i cili pas arrestimit nga Policia u kthye në një bashkëpunëtor të drejtësisë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Jaho duke iu referuar Kushtetutës dhe së drejtës për informim, shprehet se duhet pasur shumë kujdes me dëmtimin e sekretit hetimor. I pyetur nëse me ndalimin që SPAK-u i bëri mediave për mospublikimin e dëshmisë së Nuredin Dumanit, Jaho shprehet se duhet bërë dallimi mes zhvillimit normal dhe objektiv të hetimeve si dhe zbatimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, dhe lirisë së shprehjes.
Ai i referohet në këtë rast Gjykatës së Strasburgut, e cila sipas tij, ka një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar lidhur me mbrojtjen ligjore të burimeve të gazetarëve. “Shpesh përmendet ‘Çështja Goodvin’ kundër Mbretërisë së Bashkuar. Gazetari ishte dënuar me gjobë, sepse kishte refuzuar të tregonte burimin e informacionit, ndërsa GJEDNJ-ja e konsideroi të pabazuar këtë vendim, sepse pa mbrojtjen e burimeve të gazetarit mund të ketë stepje dhe të mos ndihmohet media për të informuar publikun mbi çështjet që ka interes. Në të kundërt, roli jetësor i shtypit mund të minohet”, shprehet Jaho.
Ju jeni njohur kohët e fundit me publikimin e informacioneve që kanë të bëjnë me deklarimet e bëra në prokurori nga dy të akuzuar për krime të rënda dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë: Nuredim Dumani dhe Henrik Hoxha. Si e vlerësoni publikimin e këtyre materialeve hetimore?
Herë pas here dhe pjesërisht jam njohur. Personat e mësipërm dhe të tjerë akuzohen për vepra me rrezikshmëri tepër të theksuar shoqërore në formën e një grupi të strukturuar kriminal, me implikime nga më të ndryshmet. Në këto publikime, nuk mungonin as emrat e personave të ndryshëm dhe as detajet që mund të bëheshin të njohura në procesin përkatës gjyqësor.
Në këtë vështrim, nuk shtrohet çështja e kurioziteteve apo hamendjeve tej asaj që lexohet, por e faktit, e asaj që është kryesore: a) i shërben ky publikim publikut të gjerë?! Vlerësuar në aspektin ligjor dhe në mënyrë të veçantë se cilat duhet të jenë kërkesat për një hetim të plotë, objektiv dhe të gjithanshëm, publikime të kësaj natyre që s’kanë asgjë të përbashkët me informacionin e nevojshëm dhe të lejueshëm, shtrojnë natyrshëm disa pyetje që janë njëkohësisht edhe shqetësime: a)Në ç’kushte dhe në ç’rrethana u bë ky publikim?
b)Përse për një kohë relativisht të gjatë u lejua vazhdimi i publikimeve të tilla? c) A ka pasur sinjalizime për pasoja të dëmshme: shqetësime të individëve dhe familjeve, favorizim të inkriminuarve të mundshëm etj. Kemi parasysh se në urdhrin e tre prokurorëve midis të tjerave thuhet: “Deklarimet e këtyre shtetasve kanë vlerë provuese dhe janë shumë të rëndësishme për hetimin”. Përse ishte e nevojshme që në këtë urdhër ku bëhet fjalë për sekretin hetimor të bëhej edhe vlerësimi i deklarimeve që në vetvete janë të natyrës konkluduese?
Ku mbështetet urdhri i tre prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme?
03/1 të Kodit të Procedurës Penale ku thuhet: “Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm i akteve sekrete që lidhen me çështjen ose dhe vetëm me përmbajtjen e tyre nëpërmjet shtypit ose i informacionit masiv si dhe në nenin 179/ 1 të Kodit të Procedurës Penale ku thuhet se: Aktet hetimore janë sekrete derisa i pandehuri të mos ketë marrë dijeni për to”. Në paragrafin e tretë të urdhrit theksohet: “Ndalimi i përmbajtjes së këtyre akteve nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv”.
Në përfundim, për moszbatimin e këtij urdhri, përmendet neni 295/a paragrafi 4 dhe 5 ku përkatësisht thuhet: “Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të tjerë që kanë dijeni për të dhëna për procedim penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbuklimin e tyre, dënohen me burgim deri në 3 vjet”; “Zbulimi i të dhënave sekrete që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga 2 deri në 6 vjet”.
Pas dy ditëve të urdhrit të mësipërm Prokuroria e Posaçme, ka bërë një sqarim lidhur me përmbajtjen e urdhrit të prokurorëve ku thuhet se gazetari E.Q. ka publikuar disa të dhëna sekrete. A mund të shprehni një mendim për këtë njoftim të SPAK-ut?
Pasi u njoha me këtë sqarim që më vihet në dispozicion për ta parë (botim i datës 16 qershor 2022 në një nga mediat e përditshme) shpreh mendimet e mëposhtme: 1. Sqarimi ishte i nevojshëm. Ai parandalon interpretimet e ndryshme pse jo edhe subjektive. 2. Njoftohet publiku se janë duke u kryer hetime për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është transmetuar tek persona që më pas e kanë publikuar atë. Ky është pra sqarim që i shërben publikut të gjerë.
A kanë të drejtë organet e shtypit apo gazetarë të veçantë që për çështje të caktuara që janë denoncuar për ndjekje penale ose që hetohen, të kërkojnë informacion nga Prokuroria përkatëse?
Sigurisht që po. E drejta e informimit është e garantuar. Në nenin 23 të Kushtetutës thuhet: “Kushdo ka të drejtë në përputhje me ligjin të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe personave që ushtrojnë funksione shtetërore”. Ligji “Për të drejtën e informimit” rregullon të drejtën e njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike.
Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik pa u detyruar të shpjegojë motivet. Si rregull, përgjigja (informacioni) duhet të jepet brenda 10 ditëve nga dita e dorëzimit të kërkesës, veç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe. Sipas ligjit (neni 17) e drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton sekretin tregtar, të drejtën e autorit, patentat. Sa i përket të dhënave (informacionit) që ka të bëjë me hetimin e çështjeve penale, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Për të mos krijuar asnjë keqkuptim apo keqinterpretim, a mund të sqaroni nëse ka gjë të përbashkët midis ndalimit publikimit të sekretit hetimor që përmendëm më lart me mbrojtjen e burimeve gazetareske?
Janë dy gjëra të ndryshme: e para ka të bëjë me zhvillimin normal dhe objektiv të hetimeve, si dhe me zbatimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, ndërsa e dyta, është komponent i veçantë i lirisë së shprehjes. Ndërhyrja në lirinë e shprehjes mund të jetë legjitime, vetëm në raste të jashtëzakonshme kështu p.sh., kur është çështje e sigurisë kombëtare, e integritetit territorial e sigurisë publike, e mbrojtjes së shëndetit, e paanshmërisë së gjyqësorit etj.
Gjykata e Strasburgut ka një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar lidhur me mbrojtjen ligjore të burimeve të gazetarëve. Shpesh përmendet “Çështja Goodvin” kundër Mbretërisë së Bashkuar. Gazetari ishte dënuar me gjobë, sepse kishte refuzuar të tregonte burimin e informacionit, ndërsa GJEDNJ e konsideroi të pabazuar këtë vendim, sepse pa mbrojtjen e burimeve të gazetarit mund të ketë stepje dhe të mos ndihmohet media për të informuar publikun mbi çështjet që ka interes. Në të kundërt roli jetësor i shtypit mund të minohet. Pas vendimit të mësipërm, në vitin 2000 Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës miratoi rekomandimin mbi të drejtën e gazetarëve për të mos zbuluar burimet e tyre të informacionit.
Te ne, nuk ka një ligj për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. A mundet që ky boshllëk në ndonjë rast të interpretohet në dëm të gazetarëve?
Në fakt, kjo çështje në të ardhmen duhet të shprehet në ligje. Por, pavarësisht nga kjo, nëse gjykatat tona do të ndeshen me ndonjë rast të tillë, ato mund të zbatojnë drejtpërdrejtë praktikën dhe orientimet e GJEDNJ-së dhe të udhëhiqen nga parimi i proporcionalitetit, si dhe roli i shtypit në një sistem demokratik.