Ana. Q., një parukiere 42 vjeçare e arrestuar nga policia për akuzën e “vjedhjes”, ka shokuar gjykatësen dhe prokuroren e çështjes, teksa ka dalë para gjykatës për t’u përballur me një nga rastet e dokumentimit të një vjedhje të ndodhur në Tiranë. Ana. Q., nënë e një fëmije ka pohuar se me vajzën, së cilës i ka marrë rrobat personale si të brendshme, kostum sportiv, këpucë, parfume dhe sende të tjera, ka një raport të veçantë, përtej shoqërisë, duke deklaruar se kishte lidhje intime me të. Kjo deklaratë ka lënë të habitur gjyqtaren dhe prokuroren e çështjes të cilat po gjykonin rastin në gjykatën e Tiranës, pasi në fjalën e saj të mbrojtjes Ana.Q, pretendoi se kishte një lidhje me vajzën e cila e kishte kallëzuar në polici, dhe se herë pas here ato shkëmbenin rrobat e njëra-tjetrës.
Pavarësisht kësaj situate të paprecedentë në gjykatën e Tiranës, në fund të seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, gjykata vendosi të caktojë “arrest në burg” për Ana.Q. akuzohet nga prokuroria e Tiranës se në datën 15 tetor 2019 në afërsi të kafe “Flora”, i ka vjedhur brenda në makinë shoqes së saj me inicialet Xh.B, një çantë, ku ndodhej pasaporta, çelësat e shtëpisë, telefonin tip “IPhone 5”, një kostum sportiv, një palë këpucë që XH.B, sapo i kishte blerë, dy parfume dhe disa tesha rroba të brendshme, të cilat në total kapnin shumën prej 40 mijë lekë treg. Teksa është marrë në pyetje nga policia e Tiranës Xh.B, ka deklaruar se Ana, i kishte vjedhur dhe rreth dy vjet më parë shumën prej 500 euro në banesë, por atëherë rastin nuk e kishte denoncuar pasi ajo i ishte betuar për djalin e saj, se nuk kishte gisht në këtë vjedhje.