Debat të madh dhe një alarm në popullsi është përhapur pas faktit se shumica e produkteve shqiptare që konsumon populli shqiptar rriten me hormone dhe marrin ngjyrë nga ngjyrosës artificialë.
Akoma edhe më skandaloz është fakti se në përbërjen e djathit të lirë në dyqanet shqiptare, ka pluhur tullë dhe allçie në mënyrë që të marrë ngjyrë dhe të forcohet.
Në lidhje me dyshimet mbi sigurinë e produkteve që konsumojmë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është gjendur midis një sere me kastravecë dhe duke biseduar me një fermer u ka bërë thirrje shqiptarëve që të konsumojnë produktet vendase.
Ajo ka hedhur akuza edhe mbi qeverinë Rama se nuk i kushton vëmendjen e duhur bujqësisë.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
Edi Rama ka një javë që bredh me policë e forca speciale nëpër Shqipëri, por në fjalimet e tij kilometrike nuk gjeti asnjë sekondë kohë për të mbrojtur prodhimin shqiptar. Ai tashmë i kthyer në një lolo pazari, merret me opozitën, por jo me shqiptarët. Halli i tij i vetëm janë bandat e krimit të organizuar edhe oligarkët. Vetëm për ta shqetësohet. Një telekomandë në dorën e tyre. E mbani mend si vrapoi të promovonte Check-up korruptiv duke i bërë analizat me media me vete? Harxhoi miliona lekë për spote promocionale nga taksat e shqiptarëve, për këtë vepër gjigande korruptive, por për fermerët e blegtorët u mjaftua me dy gisht letër. Nuk mjafton me kaq, por e paguan koncensionarin me miliona euro në vit nga paratë e shqiptarëve për punë të pakryer ose me saktë pa bërë asnjë punë. Fiks aq sa është edhe subvencioni i fermerëve ketë vit. Si tërbohet edhe hungërin në mbrojtje të drejtuesve të policisë, të kapur dhe shërbëtorë të krimit. Si promovon me mbulime live televizive për Air Albania apo aeroportin e Vlorës, që tenderat e tyre skandaloze e korruptive po hetohen nga BE. Si jargavitet dhe djersitet nga sikleti kur bën ligj antikushtetues për shembjen e teatrit dhe na del me orë të tëra për t’i shpjeguar sa pa vlerë është teatri, një nga krenaritë e shqiptarëve. Ndaj sot si nënë, si grua, si shqiptare dua t’ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve; konsumoni produktet tona të mrekullueshme, të mbjella e kultivuara nga vëllezërit tanë. Djersa e tyre, e jona, duhet respektuar e trajtuar me dashuri.”