Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia dhe sektori bankar kanë shënuar zhvillime pozitive. Ai u shpreh optimist edhe për rritjen ekonomike në vitin 2018. Në punimet e konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë, guvernatori vlerësoi se rritja e ekonomisë është mbështetur nga konsumi dhe investimet e huaja.
“Tremujori i fundit i vitit e gjen ekonominë shqiptare në një situatë ekonomike e financiare në përmirësim të vazhdueshëm. Treguesit e rritjes dhe të punë- simit kanë shënuar një kurbë rritëse dhe pritshmëritë për vitin 2018 mbeten pozitive.
Konsumi dhe investimet e huaja kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik dhe pritet të sjellin një rritje të mëtejshme të produktivitetit dhe rritjes së konkurrueshmërisë”, u shpreh Sejko. Për sa i përket stabilitetit financiar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë veçoi rënien e kredive të këqija me 10 për qind.
“Një tablo pozitive karakterizon edhe stabilitetin financiar të vendit. Arritja më e spikatur në këtë drejtim është rënia e dukshme e kredive të këqija në bilancet e sistemit bankar. Masat e marra në mes të vitit të kaluar kanë dhënë një efekt të qenësishëm, të materializuar në reduktimin e kredive të këqija me rreth 10 pikë përqindje poshtë nivelit maksimal të regjistruar në vitin 2015. Zhvillimet pozitive të sektorit bankar dhe të ekonomisë kanë mbështetur përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të kapitalizimit, likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Dy muaj para përfundimit të vitit, ne vlerësojmë se industria bankare në Shqipëri gëzon shëndet të plotë financiar, në kushtet e një situate optimale të likuiditetit dhe të kapitalizimit të veprimtarisë, një premisë kjo e rëndësishme për mbështetjen financiare të zhvillimeve ekonomike të vendit”, tha Sejko.
Guvernatori Sejko u shpreh se tregu financiar duhet të zgjerohet, jo vetëm nëpërmjet bankave, por dhe instrumenteve të tjera, me qëllim që ekonomia të mos privohet nga financimi.
“Instrumentet financiare me maturitet afatgjatë janë të rralla, ndërkohë që ato afatshkurtra jashtë sistemit bankar janë apatike dhe të fragmentuara, si në produkte, ashtu dhe në tregje. Fryt i kësaj arkitekture financiare është një lloj presioni i shtuar mbi sistemin bankar, duke privuar ekonominë nga alternativat e tjera të financimit përtej atyre që ofrojnë bankat. Ky boshllëk nuk mund të mbushet në mënyrë të sforcuar nga sistemi bankar. Është e pranuar gjerësisht se çdo segment i tregut financiar luan rolin e tij bashkëplotësues dhe jo zëvendësues”, u shpreh Sejko.