Një delegacion gjerman me deputetë nga Bundestagu zhvillojnë sot në mesditë një takim me kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj dhe kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafaj.
Mësohet se në qendër të diskutimeve do të jetë ecuria e deritanishme e procesit të Vetingut, problematikat e mundshme dhe roli i shtuar që pritet të ketë ngritja e SPAK, KLGJ e KLP-së në plotësimin e strukturës së plotë, të nevojshme për implementimin e reformës në drejtësi.
Ky delegacion që po zhvillon bisedime teknike në kuadër të programit “Politika ligjvënëse dhe reforma e drejtësisë në Shqipëri” ka takuar gjatë paradites së sotme edhe kreun e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Bashkim Dedja.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë më vendime, pasi nga 9 anëtarë gjithsej, ka mbetur vetëm me 4 anëtarë, për shkak edhe të shkarkimeve nga organet e Vettingut.
Deputetët gjermanë gjatë vizitës së tyre dy-ditore në Tiranë, kanë organizuar takime edhe me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, drejtorin e “Shkollës së Magjistraturës” Sokol Sadushi, nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve Oerd Bylykbashi.


