Raporti i Freedom House për 2017 në Shqipëri, ka veç të tjerash një moment shumë interesant, që lidhet me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit Ilir Meta nga Parlamenti i kaluar.
“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”,- thuhet në raport.
Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit.
Lufta kundër korrupsionit dhe kundër kanabisit
Freedom House thotë se në vitin 2017 pati një farë përparimi kundër korrupsionit dhe rryshfeteve, veçanërisht në radhët e policisë, si edhe në luftën kundër drogës, që u vu re në reduktimin e kultivimit të kanabisit. Por përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, thuhet në raport, u zbeh nga njoftimet e agjencive italiane të rendit se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-amerikan të trafikut të drogës.
“Megjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”.
Në raport thuhet se kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në Shqipëri, pjesërisht falë ndërhyrjes së policisë shqiptare.
“Ndërsa zyrtarët e qeverisë ia atribuan këtë strategjisë së tyre kundër kanabisit, analistët e pavarur argumentuan se mbiprodhimi gjatë tre viteve të mëparshme, krijoi rezerva të pashitura të kanabisit që e shkurajoi kultivimin e mëtejshëm në vitin 2017”, thuhet në raport.
“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.
Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit.
Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet.
“Strategjia e qeverisë kundër korrupsionit u përqendrua pothuajse ekskluzivisht tek korrupsioni administrativ dhe neglizhoi korrupsionin politik dhe publik-privat, si kapja e shtetit”, thotë raporti që thekson se “institucione kyçe të anti-korrupsionit si Prokurorja e Përgjithshme e përkohëshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pronave dhe Konfliktit të Interesave nuk patën pavarësi pasi janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare të së njëjtës parti që u duhet ta kontrollojnë”.
Ndërsa duke folur për kapjen e shtetit, raporti thotë se ende nuk ka masa rregulluese për lobimin, nuk ka kufizime për zyrtarët që kalojnë në sektorin privat pas jetës publike – përveç drejtorëve të policisë – dhe një kuadër të pamjaftueshëm ligjor për konfliktet e interesa.
Por si reagoi Presidenca pas kësaj deklarate? Presidenca e quajti një raport të porositur.
Pas raportit te Freedom House, qe mes te tjerash nenvizon se “Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill”, vjen reagimi i forte i Presidences.
Reagimi i Presidences
Në përgjigje të interesimit të mediave lidhur me raportin e fundit të Freedom House zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi u shpreh:
Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.
Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.
Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.
Në se Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House.
Por një deklaratë tjetër ka trazuar politikën në vend: Letra drejtuar Kongresit, Llalla: Lu më ka kërkuar arrestimin e Metës
Sipas kësaj letre të dërguar nga Llalla thuhet se, në vlerësimin e Donald Lu, kreu i parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.
“Arrestimi i tij, shkruan Llalla, – do të ndihmonte, sipas pikëpamjes së ambasadorit përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Por, Llalla thekson se një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e kishte detyruar atë të ndërpriste takimin, teksa i kishte shpjeguar ambasadorit amerikan se arrestimi i një personi, përfshi një zyrtar të lartë, bëhet vetëm mbi bazën e provave. Kur ishte në detyrë Llalla nuk e nxori emrin e politikanit qe Lu kërkoi te arrestohej, por deklaroi se i gjithë sulmi i ambasadës amerikane ndaj tij vinte si shkak i këtij refuzimi.
Kërkesa e Lu-së me gjasë ka ndodhur në korrik të 2016-ës, pasi Ilir Meta në një konferencë për shtyp përpara gazetareve iu përgjigj indirekt ambasadorit Lu.
“Ç’është kjo retorikë: Hajde takohemi, po ti s’do të takohemi se ke frikë se do të fus në burg. Nuk ka kompromis me burg. Kompromisi nis “Unë do shkoj në burg, jo ti nëse kam shkelur ligjin”. Le të hetohem deri në fund”, shprehej Meta në Korrik të 2016-s.
Ambasadori Lu dhe ish-kryeprokurori vijuan një përplasje publike, deri sa Adriatik Llallës i përfundoi mandati dhe u zëvendësua nga Arta Marku. Llalla u tërhoq nga vettingu, ndërsa ambasadori amerikan tha në atë kohë se kjo nuk e shmang hetimin ndaj tij.
Sipas Lu, kush ka frike nga vettingu, duhet të ketë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale. Aktualisht llalla po hetohet nga prokuroria e Durrësit për korrupsion.


