Nga Brukseli, kryeministri Edi Rama e përsëriti edhe në gjuhë të huaj ftesën drejtuar protestuesve për t’u ulur e për të biseduar mbi arsyet reale që i kanë nxjerrë në shesh në revoltë kundër qeverisë së tij.
Por, thotë se në protestat e dhunshme, të pakënaqurit e bulevardit janë gjithnjë e më të pakët.
“Unë jam një njeri që gjithmonë, ju e dini, kërkoj të debatoj, të përballem me njerëzit, të sfidoj e të sfidohem, por nuk është e lehtë kur thua ‘’po proteston’’, për çfarë? Do të dëgjohesh? Eja. Dua t’ju dëgjoj, dua të flas më ju. “Jo nuk duam t’ju dëgjojmë, nuk duam të flasim me ty, duhet të ikësh”. Më fal, por nuk ma dhatë ju këtë punë. E kam këtë punë, më është dhënë nga populli shqiptar dhe kam një kontratë kështu që eja, le të flasim. Jam gati t’ju dëgjoj. “Jo, jo”! Pra nuk flasim, nuk ka dialog, nuk ka diskutim, por thelbi i çështjes është që ndryshe nga vende të tjera, kjo fazë e re dhune ka si karakteristike një numër shumë të ulët njerëzish, nuk është se është populli shqiptar në rrugë, janë shumë më tepër njerëz”, tha Rama.
LEXO EDHE:
Rama e Veliaj, ende vëllezër, por tani si Kaini dhe Abeli
Megjithatë, Rama thotë se qeveria po reflekton mbi atë se çfarë duhet të bëhet më mirë.
“Shqipëria po ecën shumë mirë kur vjen fjala për shifrat, për rritjen, për rrugëtimin europian, për turistët që po vijnë e kur bëhet fjalë për shumë gjëra. Por nga ana tjetër, njerëzit duan më shumë nga ajo çfarë krijohet prej ekonomisë. Dhe ajo është ajo çfarë po përpiqemi të trajtojmë. Kemi probleme dhe po luftojmë që t’i zgjidhim, të përballemi me to dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë gjë me mjete që në të kundërt nuk do t’i kishim”, tha Rama.
Rama nuk i sheh protestat në Tiranë si pengesë për integrimin ndërsa shpreh optimizëm për afatet e vendosura për mbylljen e negociatave duke shtuar se anëtarësimi me faza i shërben veçanërisht Europës në këtë moment sfidash të reja.
Ndërsa duke u ndalur te Serbia dhe realitetin e ri politik në lidhje me negociatat dhe gjeo-politikën, me rënien e Vuçiç Rama komentoi kështu:
“Ajo çfarë di është që fituesit në Beograd nuk tregojnë hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, për shqiptarët, që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështje, kështu që, kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, përfundoi kryeministri.


