Ervin Salianji dhe Belind Këlliçi janë shfaqur sot në një foto së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, dhe Hysen Kadiun, i cili doli më i votuari në primaret e Tiranës dhe Berisha e la jashtë listës së deputetëve.
Në PD është i njohur konflikti i Salianjit me Këlliçin që prej kohës së Bashës, ku të dy kandiduan për Forumin Rinor të PD-së, duke bërë një ndarje të madhe në strukturat e partisë së kohës, ku grupi parlamentar dhe pjesa e vjetër e strukturave u bënë me Këlliçin, ndërsa kryetarët e degëve u bënë në atë kohë me Salianjin.
Përveç kësaj, një burim pranë Partisë Demokratike, i tha gazetës ‘TemA’ se pas sulmeve të fundit ndaj Këlliçit gjasat janë të jetë i përfshirë në prapaskenë edhe vetë Salianji, i cili ka shfaqur ambicie për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.
Kjo foto e sotme ndofta është tregues i ‘dorëzimit’ të Këlliçit dhe një paqe mes të dyve, ashtu siç mund të jetë edhe një mesazh i koduar për Berishën, i cili, sipas burimeve pranë selisë blu, është i gatshëm të ndajë të gjithë postet partiake, mjafton që të mos ketë shqetësime për kreun e saj.
Se çfarë do ndodhë në PD në të ardhmen, ngelet për t’u parë, por lëvizjet e Salianjit vijnë në një kohë ku në PD po diskutohet për zgjedhje brenda strukturave dhe, sipas të gjitha gjasave, ai është duke negociuar fort me familjen e Sali Berishës, për të qenë në kupolën drejtuese të kësaj partie, mjafton që të mos ketë ‘shqetësime’ për drejtimin e saj./TemA


