Duket se disa nga profesionet e ashtuquajtura të meshkujve, nuk janë më “pronë” e tyre. U bë kohë që femrat kanë thyer tabu, duke marr në dorë jo vetëm fatin e jetës, por edhe duke u futur gjithnjë e më shumë aty ku mendohej se nuk ishte fusha e tyre.
Një nga rastet me të fundit të femrave që sfidojnë janë edhe “postieret” e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”.
Në fakt bëhet fjalë për tre prej gazetareve të këtij e emisioni, Radovani, Petrina Gorica dhe Kristina Mere, të cilat kanë edhe detyrën që të ndjekin hap pas hapi historitë, nga prezantimi i rastit në zyrat e emisionit, tek studimi e transmetimi final .
“Është një detyrë shumë e bukur, pasi ne nuk jemi thjesht postiere, por jemi edhe gazetare të emisionit. Ne përfshihemi aq shumë me një histori dhe kur shkojmë në familje ne dimë gjithçka mbi rastin dhe jemi bërë si njerëz të afërt të tyre. Përfshihemi emocionalisht me ta, ne qajmë kur ata qajnë dhe qeshim kur ata qeshin”, tregojnë vajzat.
Femra në futboll vijon të mbetët një tabu, sidomos në Shqipëri.
Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra, ndonëse nuk ka arritur të fitoi vemendjen e duhur, është munduar gjithnjë të tregojë se mundet dhe do t’ia dalë.
Në të njëjtën fushë, por me rroba të ndryshme: Këto tri vajza kanë arritur të bëjnë atë që shume të tjera nuk kanë guxuar.
Katerina Gega, Xhensila Dodaj dhe Xhoana Malko janë tre vajza të cilat nga futbolli i luajtur kanë kaluar në arbitrimin e ndeshjeve. Vajzat tregojnë se si e kanë nisur karrierën e tyre të vështirë të arbitrojnë në një sport si futbolli.
“Kam qenë pjesë e futbollit të femrave të Apolonisë, ndërsa më pas kam kaluar në skuadrën Tirana AS. Por më pas e kam lënë futbollin e luajtur dhe i jam futur arbitrimit. Është e njëjta fushë, por me rroba të ndryshme. 5 vite në futboll, ndërsa së fundmi jam futur në akademinë e arbitrimit”, shprehet Katerina Gega. Ndërsa, Xhensila tregon se e ka pasur shumë të vështirë në fillim, ndërsa më pas ja ka dalë falë studimit dhe stërvitjes rigoroze.
“Edhe unë kam luajtur disa ndeshje, kam qenë futbolliste, por kërkonte shumë impenjim. Në fillim e kam pasur shumë të vështirë, por kam studiuar dhe jam stërvitur shumë. Kam dy vite tashmë që merrem me arbitrim”, shprehet ajo.
Këtu, vlen të permendim edhe rastin e Romela Begaj që shkruajti historinë në peshëngritje, duke lënë shkelqimin e meshkujve në kete fushë, pas.
Nëse thua fjalën policë, menjëherë vjen në mendje policët meshkuj.
Por, në Shqipëri kjo gjë duket se ka ndryshuar pasi janë pikerisht këto vajza ato që shohim çdo ditë në rruget e kryeqytetit që në menyren e tyre e kanë “zbutur” disi ndalimin e shoferëve meshkuj.
Nëse në polici eshte kthyer gjë normale, në ushtri duket se figura e femrës vijon të duket një “habi”. Ajo që bëri ndryshimin e perjetshëm ishte Manushaqe Shehu. E para femër që gradohet gjenerale në historinë 104-vjeçare të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Shehu është dekoruar me gradën gjeneral brigade nga kreu i shtetit Bujar Nishani.
E quajne Jetmira Sula dhe ka mbaruar studimet per ekonomi. Kjo vajze e re dhe tërheqëse nga Gjirokastra është emëruar drejtoreshë e burgut të grave në Tiranë.
Kujtojmë se dhe më parë në kete post ka qënë Xhoi Takaj.
Emisionet politike, ashtu si vetë politika kanë kërkuar gjithnjë figurën mashkullorë në krye.
Por, Ilva Tare dhe Eni Vasili duket se i thanë JO kësaj “tradite” që dukej se ishte mbërthyer nga moderatorët burra.
Ilva Tare me “Tonight me Ilvën”, dhe Eni Vasili me “Studio e Hapur”, arritën ta përballojnë më së miri presionin duke i treguar sërisht, se femra mundet tia dalë dhe aty ku duket aq e vështirë, vetëm me anë të talentit.
Politika, që gjithnjë është përfaqësuar nga meshkujt, duket se gjithnjë paska qënë një dëshirë edhe e femrave.
Kujtojmë Atifete Jahjagan që u bë e presidentja e parë femër në Kosovë.
Sot në Kuvend, disa nga zërat më të fuqishëm janë ato te grave. Monika Kryemadhi u bë e femra e parë, që udhëheq një parti parlamentare.
Jozefina Topalli, gruaja e parë që arriti të jetë në krye të parlamentit.
Si këto ka dhe shumë shembuj të tjerë të femrave që guxuan dhe i treguan meshkujve se çdo gjë mund te arrihet, e se asgjë, asnjë profesion nuk është i prerë “me thikë”.
Duket se figura e femrës nuk shihet më aq e brishtë, pasi ambicia e tyre ka marr parasysh të kalojë çdo pritshmëri.
/AlpeNews.al/

















