Kanë mbërritur në gjykatë për t’u njohur me masat e sigurisë 13 të arrestuarit e operacionit “Trinomi”.
Një grup të dënuarish për vrasje dhe grabitje me dhunë, të cilët vuanin dënimet në burgjet e Peqinit, të Drenovës dhe në burgun 313 në Tiranë, janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Elbasanit për organizim lojërash fati brenda burgjeve dhe trafikim të sendeve të paligjshme e drogës në institucionet e vuajtjes së dënimit. Si bashkëpunëtorë të tyre u arrestuan 7 punonjës të policisë së burgjeve dhe 13 persona të tjerë.
Bashkë me të dënuarit mes të cilëve janë emrat e Aleksandër Llanajt, i dënuar me 35 vjet burg për vrasje të trefishtë, Gazmir Braka (Gaxhai) i njohur si pjesëtar i bandave të vitit 1997, Arben Grorit i dënuar me burgim të përjetshëm, janë arrestuar edhe 7 oficerë të policisë së burgjeve dhe një numër bashkëpunëtorësh të akuzuar për korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe futje sendesh të paligjshme në burgje.


