Shoqërohet në polici autori i përplasjes së dhunshme me grushte që u regjistrua sot në ambientet e Qendrës së Numërimit të votave në Kashar, ku u godit me grusht sekretari i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), Remzi Mehmeti.
Mësohet se në pranga ka rënë Rei Nozlli, i cili raportohet se ishte një nga vëzhguesit e Ornaldo Rakipit, kandidat i Partisë Socialiste në këtë zonë. Ngjarja ndodhi në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë, duke krijuar tension dhe ndërprerje të menjëhershme të numërimit të votave.
Burime nga KZAZ bëjnë me dije se një pjesë e mirë e qytetarëve që ndodheshin brenda ambienteve të qendrës nuk ishin të pajisur me akreditim zyrtar, duke ngritur dyshime mbi statusin ligjor të disa përfaqësuesve të kandidatëve.


