Në Malësinë e Madhe janë zbuluar dhe asgjësuar mbi 5,000 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në një parcelë pranë banesave të disa shtetasve.
Në kuadër të operacionit policor antikanabis “Koordinata”, u vunë në pranga dy vëllezërit Ermir dhe Kadri Shabaj, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë një shtetase e lidhur me rastin. Hetimet dhe veprimet vijojnë nga autoritetet lokale në bashkëpunim me DVKM Shkodër.
Njoftimi i policisë:
Kishin kultivuar 5093 bimë narkotike, në fshatin Alijaj, kapen në flagrancë në parcelë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim dy shtetas (vëllezër), dhe u procedua një shtetase në gjendje të lirë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. Sh., 47 vjeç, dhe K. Sh., 74 vjeç, banues në fshatin Alijaj.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja S. Sh., 57 vjeçe, dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Sh., 22 vjeç, dhe G. Sh., 25 vjeç (vëllezër), të afërm të gjithë me njëri-tjetrin.
Nga hetimet e kryera, në bashkëpunim me DVKM Shkodër, dyshohet se këta shtetas kanë kultivuar 5093 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa, në fshatin Alijaj, në afërsi të banesave të tyre. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


