Detaje të reja dalin në dritë nga vrasja e Shkëlzen Kastratit tre ditë më parë në Fier. “Report Tv” raporton se makina me të cilën dyshohet se udhëtonin autorët dhe që u gjet e djegur, rezulton e vjedhur pak muaj më parë në Greqi.
Policia nuk ka zbuluar ende se si makina tip ‘Range Rover’ u fut në territorin shqiptar. Edhe në momentin që iu vu flaka pasi u bë vrasja e Shkëlzen Kastratit, makina Range Rover ishte me targa greke të rregullta.
Mbrëmjen e djeshme, policia e Fierit ka sekuestruar në Kamzë një automjet për të cilin dyshohet se autorët janë larguar pasi dogjën Range Roverin.
Kontrollet për persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje janë kryer edhe Durrës, periferitë e Fierit dhe në disa zona të Vlorës.
Dyshohet për tre persona si autorë të ngjarjes, sipas disa dëshmive të personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Shkëlzen Kastrati po lëvizte me mjetin e tij tip ‘Benz’ kur u qëllua me automatik më 1 shkurt. Njëri plumb e goditi direkt në kokë, kurse plumbi i dytë i përshkoi krahun, por megjithatë ekspertët e policisë e gjetën me cigare në dorë.
Për hetuesit vrasësit kanë qenë të pagabueshëm, sepse plumbin e parë 42-vjecari e mori në kokë, detaj që jep garanci për eliminimin e shënjestrës. Dyshimet e para flasin për autorë të paguar nga hakmarrësit e Kastratit edhe pse hetime po bëhen në lidhje me aktivitetin e tij në Fier dhe Vlorë.