Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes së 40- vjeçarit Hekuran Billa, ngjarje që ndodhi të enjten në Tiranë, ka përforcuar dyshimet se ekzekutimi ka ndodhur për motive hakmarrje.
Nga të gjitha veprimet hetimore, deklarimet që u janë marrë familjarëve, miqve apo personave të tjerë që e njohin viktimën, nuk rezulton që ai të ketë pasur ndonjë problem tjetër. Ndonëse kanë dëshmuar se i kishin mbyllur hasmëritë me familjen e personit të vrarë në Londër në vitin 2006, familjarët e Hekuran Billës ia kishin frikën një hakmarrjeje të mundshme.
Por, me gjithë kërkimet në Shkodër, për të marrë dëshminë e Viktor Markut, vëllait të 22-vjeçarit të vrarë në Londër 14 vjet më parë, ai nuk është gjetur.
Familjarët e tij kanë deklaruar se nuk e kanë parë prej disa ditësh. Ndërsa Policia ka kryer verifikimet në sistemin TIMS dhe nuk rezulton që ai të ketë dalë nga Shqipëria, të paktën në rrugë zyrtare. Kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet për një përfshirje të mundshme të tij në ngjarje.
Burimet thanë se ai është shpallur në kërkim policor, tashmë si i dyshuar. Hekuran Billa, 40-vjeçari që u ekzekutua të enjten mbrëma në Tiranë, kishte dalë nga burgu vitin e kaluar.
Në janar të këtij viti, ai kishte hapur një biznes për automjete me qira. Familja e Billës, me origjinë nga fshati Bushtricë i Kukësit, jetonte prej vitesh në fshatin Domje, në Tiranë. Viktima ka dy vëllezër dhe dy motra, ndërsa nuk ishte i martuar.
Para se të lirohej nga burgu, në rrethana ende të paqarta, edhe pse drejtësia britanike e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, ai kishte qëndruar për 4 vite në Burgun e Fushë-Krujës. Familjarët e tij kanë deklaruar në Polici, se mbrëmjen kur mbeti i vrarë ai kishte dalë për të takuar një shok, pikërisht pranë zonës ku u qëllua për vdekje.
Policia e Tiranës është njoftuar për vrasjen e ndodhur në zonën e “Komunës së Parisit”, para një qendre tregtare rreth orës 22:00, ndërsa rreth 40 minuta më vonë ka marrë një tjetër njoftim për një makinë që po digjej në Pezë të Vogël. Kjo makinë dyshohet të jetë e atentatorëve, ndërsa brenda saj u gjet edhe arma me silenciator, që është përdorur në krim.



