Një biznesmen është gjetur i vrarë me armë zjarri mesditën e sotme në periferi të qytetit. Viktima është Arjan Ferracaku 30 vjeç, dhe mësohet se është qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi. Arjan Ferracaku është gjetur i pajetë pranë një makine të djegur rreth orës 14:00. Por të dhënat e para janë kontradiktore nëse makina e djegur ka lidhje me ngjarjen. Mësohet se viktima po bënte xhiro me kalë në momentin kur është qëlluar me kallashnikov. Ferracaku ka qenë i shoqëruar nga dy persona të tjerë, miq të tij, të cilët ndodhen në komisariatin e Shkodrës. Ata kanë arritur të njohin autorët e vrasjes, bëjnë me dije burime pasi autorët kanë qenë të pamaskuar.
Arjan Ferracaku është pronar i dy bizneseve në Velipojë, ndërkohë që Ferracaku, është djali i pronarit të firmës së plastikës dhe duraluminit Ferracaku në Shkodër, Kujtim Ferracakut. Viktima është babai i dy fëmijëve të mitur. Ferracaku është pronari i hotel “Fantazia“ në Velipojë, që në zone përdoret edhe si orientim. 30-vjeçari, posedon edhe një restorant në Zus, sapo kalon urën e re të Bunës.
Ndërkohë bëhet me dije se dy plumba ka marrë edhe kali me të cilin ai po kalëronte.


