Të akuzuarit për vrasjen e komisar Artan Cukut janë liruar të dy nga gjykatat greke, ndërsa Krimet e Rënda nisën sot procesin ndaj tyre me shtyrje.
Por sipas avokatit që përfaqëson bashkëshorten e Komisarit, ata kanë zhvilluar procese të gjata dhe me dëshmitarë të rremë, ku kanë pretenduar se në Shqipëri gjykatat janë të korruptuara.
Nga ana tjetër, Gjykata relatoi se përgjatë këtij viti që cështja ishte e pezulluar, policia e Fierit dhe Beratit kanë ushtruar kontrolle në banesat e tyre, pa i gjetur.
Pas kohesh ne kerkim, policia tani pret ekstradimin e Bledar Jambellit, arrestuar ne Greqi, si personi i dyshuar per porositjen e vrajes se komisar Artan Cukut.
“Panorama” meson se dyshimet se vrasja e Artan Cukut ishte kryer për shkak të detyrës, lidheshin edhe me një kërcënim për jetën që ai kishte marrë në kohën kur drejtonte Policinë e Vlorës.
Kërcënim që i erdhi për shkak të rihapjes së një dosjeje të vjetër, që solli arrestime të tjera. Personi që u arrestua në vitin 2012 pas vrasjes së Amarildo Delajt, ishte Bledar Jambelli.
E pas arrestimit për këtë vrasje, gjatë një operacioni që u drejtua nga vetë Artan Cuku, u gjetën prova të reja që e përfshinin Jambellin edhe në dy vrasje të ndodhura në vitin 2006.
Ky ishte momenti kur Artan Cuku u kërcënua me jetë nga Jambelli, i cili i tha në zyrë se nuk do e harronte kurrë këtë ditë. Kërcënimet vazhduan edhe pasi Bledar Jambelli u izolua në një qeli në Burgun e Rrogozhinës. Madje, në lidhje me këtë rast ai u mor në pyetje në ambientet e burgut nga oficerët e Krimeve të Rënda.
Por ajo që u konstatua në qelinë e Jambellit, e bënte edhe më serioz kërcënimin ndaj Cukut. Emri i Artan Cukut ishte shkruar me dhjetëra herë në muret e qelisë. Por shkrimet në mure nuk u fotografuan, në mënyrë që të përdoreshin si provë.
ARRESTIMI I JAMBELLIT
Në janar të vitit 2013, Gjykata e Vlorës njohu me masën “arrest me burg” Bledar Jambellin, i njohur edhe si Rikard Muho, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës), dhe plagosjen e Edvin Zanajt, (nipi i Mukës).
Kjo ngjarje kishte ndodhur më 30 nëntor 2006. Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve. Si rezultat i këmbënguljes së Artan Cukut, në atë kohë drejtori i Policisë së Vlorës për të rihapur hetimet, u bë i mundur sigurimi i provave shkencore dhe u kërkua rifillimi i hetimeve për këtë ngjarje, me autor të dyshuar Bledar Jambellin.
Pasi Prokuroria vendosi rifillimin e hetimeve, kërkoi caktimin e masës “arrest në burg” ndaj të dyshuarit, që u pranua nga Gjykata. Në këtë kohë Jambelli ndodhej në burg prej një muaji, pasi ndaj tij Gjykata e Vlorës kishte caktuar “arrest në burg”, si autor të dyshuar për vrasjen e Amarildo Delajt, ngjarje e ndodhur më 4 shtator 2012, në lagjen “Osman Haxhiu”.
Grupi hetimor kishte dyshime të forta se dy ngjarjet kishin lidhje me njëratjetrën dhe kanë ndodhur për larje hesapesh, si pasojë e konflikteve në Spanjë. Të dyja viktimat mësohet se kanë qenë personazhe të njohura për policinë vlonjate, ndërkohë që ende nuk është gjetur ndonjë lidhje e Bledar Jambellit me ta, veç faktit të gjurmëve të tij në makinën, prej së cilës u vra Shpëtim Muka.
VRASJET
Pas arrestimit të Bledar Jambellit në vitin 2012, një vit më vonë u rihap një hetim i gjerë për një zinxhir, që dyshohej ta kishin zanafillën në Barcelonë të Spanjës, më pas në Vlorë e Tiranë. Vrasjet nisnin më 28 maj 1997, në ngjarjen që njihet si “Masakra e Levanit”, kur dyshohet se Shpëtim Muka ka qenë një nga autorët e ekzekutimit të 21 personave. Vrasja dyshohej se ishte hakmarrje e Mukës ndaj vrasjes së tre vëllezërve të tij Kastriot, Sokol dhe Petrit Muka. Vëllezërit Muka njiheshin si kundërshtarë të bandës së Zani Çaushit.
Në atë kohë vritet edhe i nipi i Mukës, Bledar Zanaj, i cili u qëllua nga banda e Gërdhuqëve, një bandë e njohur në qytetin e Vlorës. Më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash.
Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e Marinës.
Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe deklaroi se vrasjen e kreu për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë. Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje, Sokol Rama u akuzua si urdhëruesi i tij në shenjë hakmarrjeje ndaj së ëmës.
Policia, brenda pak orësh gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të arrestuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim.
Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj, djali i cili i shpëtoi atentatit të 2006-ës. Policia tha se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama. Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga kishte rënë vetëm Armando Zanaj. Ndërsa Bledar Jambelli, që u arrestua pas rihapjes së dosjeve, dyshohet se ishte paguar, pasi nuk kishte lidhje farefisnore.





