Izet Haxhia nuk do ekstradohet sot në mbrëmje në Shqipëri, ndryshe nga sa raportuan mediat më herët. Mbi ish-truprojën e Berishës rëndon dënimi me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.
Avokati i Haxhisë, Fran Dashi i qëndron deklaratave të mëparshme për nisjen e procedurave për ekstradimin e Haxhisë, i cili ka kërkuar që të vijë në Shqipëri dhe do të kërkojë rihapjen e procesit Hajdari, por nuk bëhet e ditur konkretisht se kur Izet Haxhia do prekë tokën shqiptare. Në intervista të mëparshme Izet Haxhia ka deklaruar se ka prova të forta që implikojnë personazhe të rëndësishëm në vrasjen e Azem Hajdarit mes tyre dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Më herët Haxhia ka kërkuar garanci nga autoritetet shqiptare për zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt gjyqësor. Izet Haxhia prej dy javësh qëndron në polici dhe nëpërmjet rrjetit Facebook ai njoftoi se po vetëdorëzohej në polici për t’u ekstraduar në atdhe.
Më pas ishte e dashura e tij që konfirmoi se Izet Haxhia ndodhej në qeli deri në pritje të një vendimi nëse do të ekstradohej. Në këtë status të fundit në Facebook, e dashura e Haxhisë shprehej se ai do të përballej me kuçedra për të hedhur dritë mbi të vërtetat që deri më tani janë fshehur.
Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha për ta sjellë në atdhe ku të përballej me akuzat e bashkëpunëtorit në vrasjen e Azem Hajdarit.
Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti u mor vendimi që ai të ekstradohet. Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë. Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu.I


