Viktima e parë e vitit 2018, ishte 16 vjeçari Klejdi Gjeta i cili u gjet pa shenja jete në tarracën e banesës nga prindërit e tij.
Ai u çua në spital por mjekët nuk kishin çfarë të bënin, pasi kishte ndërruar jetë. Në kokë 16-vjeçari ka një shenjë plumbi, por ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë.
Dyshimet e para ishin që djalin ta kishte prekur një plumb qorr ose një fishekzjarre. Këto të fundit nuk mungojnë asnjë fundvit, teksa nuk lënë pa shkaktuar as aksidente.
Sot 3 të rinj janë arrestuar nga Policia e Lacit pasi kanë qëlluar me kallashnikov natën e ndërrimit të viteve.
Burime nga policia e shtetit kanë bërë të ditur se Alban Lika, Ernis Lika dhe Arbër Lika kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në zonën e Sanxhakut në Laç, pikërisht në vendim ku u gjet dhe i vdekur 16 vjeçari.
Ata ishin duke udhëtuar me një makinë Benz, të cilës i kishin hequr targat dhe kanë qëlluar disa herë me kallashnikov në ajër. Shkak për arrestimin u bë një video e postuar në rrjete sociale nga të rinjtë natën e ndërrimit të vitit.
Përgatiti K.Lama, AlpeNews.al
Më poshtë video e postuar nga njëri prej djemve në rrjetet sociale:








