Djali në foto, që i gjithë rrethi i tij e njihte si punëtor, të pa fjalë, të kulturuar dhe asnjëherë të përfshirë në probleme, mëngjesin e sotëm u gjet me plumb në gjoks i shtrirë në oborr të shtëpisë, pa shenja jete.
Mister i madh është krijuar për vrasjen e Naser Murselaj, 32 vjeç, nga fshati Qifllak i Komunës së Rahovecit. Kur dëgjon rrëfimin e familjarëve duket se kurthi është e menduar mirë nga personi që ia ka përgatitur vrasjen. Familja dyshon se krimi është kryer jashtë oborrit të shtëpisë sepse në vendin e ngjarjes (ku 32 vjeçari është gjetur i vdekur), nuk janë parë shenja të gjakut. Familja nuk ka dëgjuar as krisma të plumbave.
Djali i xhaxhait të Naserit, Xhaviti, rrëfen për ngjarjen e rëndë. “Naseri u gjet në oborr i mbytur, tani e kemi lajmëruar rastin në polici. Në orën gjashtë të mëngjesit e kemi pa trupin, as krisma nuk kemi dëgju…as shenja në fytyrë nuk ka pas.”, thotë Xhaviti.
Dyshon se krimi ka ndodhur në ndonjë vend tjetër sepse nuk janë dëgjuar krisma e as nuk janë parë shenja gjaku në vendin ku Naseri është gjetur i vdekur.
“Policia e pa se e ka një shenjë në gjoks me plumb. Tani thanë se ka dyshime mos është i ardhur nga ndonjë vend tjetër se në oborr nuk paska shenja dhe gjak”, rrëfen Xhaviti.


