Lajm i trishtë na vjen nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’.
Ka mbyllur sytë përgjithmonë pasi ishte i infektuar me koronavirus, prof. Dr Selim Luku, një prej pedagogëve më të vjetër në Universitetin e Bujqësor të Tiranës në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.
Janë me mijëra e mijëra studentët që prej tij kanë marrë bazat e histologjisë dhe të anatomisë.
Luku është autor i një sërë tekstesh si ai i Histologjisë, Anatomisë, Fiziologjisë, Atlaseve të Anatomisë, artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit, monografi si dhe broshura në drejtimin e Mjekësisë Veterinare.
Profesor Luku pas daljes në pension pati një rendiment të lartë në prodhimin e librave të fushës së tij. Vajtjen në shkollën veterinare e shfrytëzoi si mundësinë e vetme për të ecur përpara, duke studiuar pambarimisht, derisa e mbajtën pedagog në Fakultet.
Me ndarjen e tij nga jeta, shoqërisë shqiptare i ikën një personalitet i fushës së Veterinarisë, pedagogjisë dhe asaj shkencore. Kurse familja e tij ndahet prej burrit shembullor, babait të shkëlqyer e gjyshit të mrekullueshëm.
“Prof. Dr. Selim Luku vërtet u nda nga jeta fizike, por ka lënë pas një emër të mirë, një emër të respektuar, ka lënë pas vepra konkrete e bash për këto arsye kujtimi i tij do të jetë kurdoherë mes njerëzve”, shkruajnë miqtë e tij në rrjete sociale.


