Ekstradohet nga Milano në Shqipëri, Etien Cani 28-vjeç nga Elbasani, i akuzuar si autori i vrasjes në shtëpinë e tij të shokut të ngushtë Gentian Beqirin dhe babait të tij, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Arrestimi i tij është bërë i mundur në datë 1 korrik në Rimini të Italisë si rezultat i policisë vendase me autoritetet italiane, ndërsa sot u ekstradua.
Etien Cani dhe viktima, Gentian Beqiri ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin. Ai e vizitonte këtë të fundit shumë shpesh në shtëpi për arsye se Beqiri ndodhej në arrest shtëpie pasi ishte një nga tre autorët e vrasjes së Sokol Çapjas në 25 dhjetor 2005.
Por në mëngjesin e 15 gushtit 2012 Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta duke pësuar fraktura në 6 brinjë dhe hemorragji në tru dhe në mëlçi. Për këtë ngjarje u akuzua Etien Cani së bashkume një tjetër person. Ai tashmë do të përballet me drejtësinë me akuzat “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.


