E diela e sotme ka nisur me tritol e vijoi me tragjeditë që ndodhën në plazhet shqiptare, qe duken se nuk ka të ndalur.
Në mëngjes shpërtheu makina e një vlonjati, teksa pak më vonë i riu nga Velipoja u mbyt teksa tentoi të shpëtonte të fejuarën.
Fill pas tij u mësua se një 18 vjeçar ndërroi jetën në plazhin e Gjirit të Lalëzit edhe pse u dërgua në spital nuk arriti të mbijetonte.
Çfarë ndodhi sot:
Shpërthen me tritol makina në Vlorë
Një shpërthim i fuqishëm tritoli u regjistrua në Vlorë mëngjesin e sotëm.
Lënda plasëse ishte vendosur në makinë të parkuar në lagjen “24 Maji” të qytetit bregdetar.
Shpërthimi është dëgjuar në orën 7:30, në afërsi të Stacionit të Trenit, ndërsa makina me targa AA 720 FD rezulton në pronësi të 30 vjeçarit, Agim Islamaj.
Shpërthimi ka ndodhur në një kohë kur sipas burimeve, pronari i mjetit bashkë me familjarë po shkonte drejt makinës.
Mbi këtë fakt, grupi hetimor ka ngritur dyshimin se shpërthimi është një mesazh për të ose për njerëz të tjerë të lidhur me 30 vjeçarin.
Shpëton të dashurën nga mbytja, por vdes vetë
Një pushues 30-vjeçar është mbytur mesditën e sotme në plazhin e Velipojës. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së quajtur Vilun. Viktima është Ervid Palaj nga Dajçi i cili ishte duke pushuar bashkë me të fejuarën e tij.
Ka qenë kjo e fundit e cila është futur në ujë dhe rrezikonte të mbytej nga dallgët. Palaj ka nxituar për t’i ardhur në ndihmë, por në luftë me dallgët ai është mbytur vetë. Edhe pse është tentuar t’i jepet ndihma e parë, 30-vjeçari nuk mundur të mbijetojë.
Mësohet se partnerja është shpëtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa fati është treguar i pamëshirshëm për të fejuarin e saj, Ervid Palaj i cili bëhet kështu viktima e tretë që humb jetën në plazhin e Velipojës.
Humb jetën 18 vjeçari
Shënohet një tjetër viktimë në plazhet shqiptare. Fatjon Alixheja 18-vjeç, humbi jetën pasditen e sotme në spitalin e Durrësit. Ai u nxor në gjendje të rëndë rreth orës 17:00 nga pushuesit në Gjirin e Lalzit dhe u dërgua me shpejtësi në spital, por nuk mundi që të mbijetonte, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
I riu nga Tirana kishte shkuar me familjen për të kaluar fundjavën në Gjirin e Lalzit, por pasdite është parë nga pushuesit mbi ujë në gjendje të rëndë. Pushuesit e nxorën nga uji dhe lajmëruan ambulancën me shpejtësi duke e dërguar në spital, por 18-vjeçari humbi jetën, pasi parametrat jetësor ishin shumë të dobët. Në plazhin e Durrësit kanë ndërruar jetë disa pushues këtë sezon turistik, ndërsa vrojtues nuk ka në të gjithë vijën bregdetare.
Shmanget tragjedia në “Gjirin e Lalzit”
Burime për AlpeNews.al bënë më dije se pasditen e sotme është shmangur një tjetër tragjedi në pot ë njëjtin plazh. Një burrë rreth të 50-ve, ka thërritur për ndihmë teksa notonte dhe i vetmi që i është gjendur pranë ka qënë një 21 vjeçar me inicialet B.V.
I riu tregon për AlpeNeës.al se arriti ta shpëtonte në kohë dhe çdo gjë u kthye në normalitet.
Kujtojmë se rojet bregdetare, edhe në këtë rast nuk ishin të pranishëm.
Vjedhja e karburantit
Ashtu si Boni & Klajdi një shekull më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që grabisnin bankat, një 31-vjeçare nga Visoka e Mallakastrës dhe një 22 vjeçar nga Belina e Patosit kishin zgjedhur të pasuroheshin duke vjedhur me armë pikat e shitjes së karburanteve.
Anna Malaj 31 vjeçe, nëna e një djali 12-vjeçar të lindur në Athinë, është ndaluar nga policia e Fierit si autore e dyshuar në vjedhjen me arme të 30 mijë lekëve në Levan dhe tentativën e grabitjes se dy karburanteve të tjerë në Fier e Mallakastër.
Policia njoftoi se ajo bashkëpunonte me kushëririn e saj 22-vjeçar, E. G., i cili është shpallur në kërkim.
Të armatosur me armë gjahu, gjatë muajit korrik, ata shkonin në orët e vona të natës në pika të ndryshme të shitjes se karburanteve dhe nën kërcënimin e armës u kërkonin punonjësve tu jepnin paratë.
Sipas punonjësve të karburantit, Anna Malaj dhe Emiljano Grembi kanë parkuar mjetin e tyre në anë të rrugës nacionale Levan-Fier, pranë pikës së karburantit.
Kanë dalë të dy nga makina dhe kanë shkuar drejt ambienteve të karburantit. 22-vjeçari me arme në dorë ka kërcënuar punonjësin dhe me pas ka shkuar në lokalin ku gjendej kasaforta të cilën e ka shqyer me dorë dhe ka marrë gjithë paratë që gjendeshin aty.
Sipas punonjësve të karburantit, i riu shoqërohej gjatë gjithë kohës nga një vajzë që sipas policisë është 31 vjeçarja e ndaluar, Anna Malaj.
/AlpeNews.al






