Shtatë vjet më parë, policia italiane ndërmori një operacion, që e cilësoi të suksesshëm për vetë personazhet e arrestuar dhe sasinë e drogës së sekuestruar. Mes të arrestuarve ishin edhe dy vëllezërit Alibej, Andrea dhe Endrit Alibej.
Sipas medias italiane në këtë operacion të paprecedentë kanë marrë pjesë mbi 300 agjentë dhe u arrestuan në flagrancë mbi 15 persona ndërsa u sekuestruan rreth 30 kg kokainë. Dosja e këtij operacioni ka 237 faqe dhe në të janë të akuzuar shqiptarë, italianë, rumunë, marokenë e deri tek belgë, grekë e turq.
Policia italiane gjithashtu arriti të dokumentonte trafikun e drogës për të paktën 30 kg me një vlerë mbi 10 milionë euro. Ndërkohë në total policia ndërmori 31 procedime. Operacioni ishte i koduar “Cocash” dhe për të përfunduar me shumë arrestimet e asaj kohe hetimet zgjatën 2 vjet nga gushti i vitit 2011 deri në qershor 2013 dhe u shtrinë nga Veriu i Italisë e deri në Holandë.
Gjithashtu për policinë italiane surprizë ishte dhe fakti i gjetjes se tre pistoletave dhe municioneve te tjera në banesën e njërit prej personave të hetuarve. Mes te arrestuarve të operacionit të 4 qershorit ka qenë dhe Endrit Alibej së bashku me të vëllanë e tij Andrea Alibej.
Pikërisht 29-vjeçari i arrestuar në atë kohë përdorte disa emra madje edhe te shtetësive te ndryshme. Endrit Alibej përdorte gjithashtu emrin Endrit Dylgjeri apo Ravik Dylgjeri duke përdorur në këtë rast mbiemrin e nënës.
Gjithashtu ai përdorte dokumentet si shtetas rumun Gabriel Manu apo si shtetas grek me emrin Dimitrios Kriporis . Endrit Alibej ka përdorur sipas dosjes italiane dhe nofkat “Tino” dhe “Tarzan”.
Ndërsa vëllai i tij renditej i 10 në listë me emrin Erion Alibej. Por edhe ai përdorte dy emra të tjerë Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej. Sipas policisë italiane të dy vëllezërit drejtonin një grup te trafikut të drogës nga Holanda drejt veriut të Italisë. Hetimet e policisë italiane janë zhvilluar kryesisht në rajonin e Astit por janë shtrirë edhe në Holandë.
Sipas dosjes italiane dy vëllezërit të konsideruar si koka e grupit janë vënë në përgjim në gusht të vitit 2011 pasi dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje droge në veri dhe në qendër të Italisë. Po sipas dosjes hetimore dy vëllezërit kishin kontakte të shumta si me furnizuesit e lëndës narkotike ashtu edhe me blerësit.
Përgjimet shkojnë deri në Amsterdam ku Endrit Alibej shfaqet duke bërë pazare droge me një bashkatdhetarin shqiptar te identifikuar nga policia italiane me emrin Astrit – shkruhet në dosje.
Por, pas pak vitesh burg ata lanë qelinë. Dhe kjo për shkak se u shfajësuan tërësisht nga dëshmia e një të arrestuari tjetër. Bëhet fjalë për një shtetas rumun, që pranoi se sasia e drogës ishte e tij dhe se dy vëllezërit shqiptarë nuk kishin asnjë dijeni për çfarë kishte në çantë. Alibia ishte e fortë, aq sa përfaqësuesit ligjorë të dy vëllezërve shqiptarë arritën të nxjerrin nga burgu.
Por, kush është lidhja e Alibejt me Eldi Dizdarin? Hetuesit thonë se ka shumë informacion dhe për të cilin duhet hetuar me kujdes për të gjetur pikëlidhjet mes grupeve, por edhe për të zbërthyer të tjera grupe kriminale, që mund të kenë qenë dhe vijojnë të jenë jashtë hetimeve operative edhe të Policisë.
Paraprakisht thuhet se Eldi Dizdari (Denis Matoshi) financonte Alibejt për të kryer vrasjet e personave që tentonin të krijonin rrjetet e tyre të trafikut të drogës dhe fitonin terren në Evropë. Dhe bëhet fjalë për kokainën nga Ekuadori, ose Kolumbia.
Mesa duket tregu monopol i çunave shqiptare të drogës ka ceduar dhe për këtë janë shtuar vrasjet e klaneve të caktuara, që mesa duket për arsyet fitimesh kanë pasur qejfmbetjet e tyre, pa e menduar se pas tyre do të vinte larja e hesapeve.
Dy vjet më parë, pikërisht në 28 dhjetor teksa ktheheshin nga një festë familjare Endrit Alibej u ekzekutua në një pritë të ngritur në kryqëzimin e zonës së Metalurgjisë në Elbasan. Bashkë me të u vra edhe daja i tij Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Ky i fundit sipas Policisë ishte një njohje e vjetër e Alibejt dhe së bashku ishin marrë me linjën e heroinës nga Turqia në Evropë përpara se të ndërronin kursin me kokainën kolumbiane.