Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka vendosur të ringrejë Drejtorinë e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtori kjo që qëndroi e mbyllur për një periudhë gati 1 vit e gjysëm, për shkak se ish-kryeprokurori Llalla vendosi shkrirjen e saj.
Kjo lëvizje e Markut pritej mes rradhëve të prokurorëve, pasi ky ishte dhe një nga premtimet e zonjës Marku, teksa ndodhej përballë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, ku shpalosi kandidaturën e saj për kryeprokurore të përgjithshme.
Kjo drejtori do ketë jetëgjatësi deri në ngritjen e institucioneve të reja brenda sistemit të prokurorisë,siç është Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Derisa sa të marë formë ky institucion që do kontrollojë punën e prokurorëve, Arta Marku, do mbajë si “levë” monitorimi dhe kontrolli të punës së prokurorëve Drejtorinë e Inspektimit.
- 360 PROKURORË
Kjo drejtori pritet të ushtrojë funksionin e saj në të gjitha prokuroritë e rretheve, ku dy grupe apo tre grupe prokurorësh do ndahen në rrethe të caktuara, ku do inspektojnë punën hetimore të prokurorëve në rrethe.
Bëhet fjalë për rreth 360 prokurorë që janë në sistem dhe që në ditët në vijim puna e tyre hetimore do të monitorohet me imtësi.
Por mësohet se objekt i monitorimit nuk do jenë vetëm prokurorët, pasi Drejtoria e Inspektimit do ketë në monitorim dhe pjesën e administratës publike të prokurorive të rretheve, duke e vëzhguar me imtësi këtë pjesë, për sa i përket afateve të dërgimit të shkresave dhe rregullueshmërisë së punës në protokoll etj.
- DREJTORIA E HETIMIT TË TË MITURVE
Po gjatë ditës së djeshme kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku ka krijuar Drejtorinë për Hetimin për të Mitur.
Krijimi i kësaj drejtorie vjen pasi pak ditë më parë ka hyrë në fuqi dhe kodi penal për të miturit.
Krijimi i kësaj drejtorie është kërkuar edhe nga partnerët e huaj në Shqipëri.
Tashmë vendimi sapo është firmosur nga Kryeprokurorja dhe çdo prokurori do të ketë njësi të posaçme për hetimin e të miturve.
Kodi i ri penal për të miturit hyri në fuqi më 1 janar të vitit 2018.