Një libër i ri i autorit Michael Wolff pretendon se zbulon sekrete nga jeta e presidentit amerikan, Donald Trump.
Libri titullohet “Zjarr dhe furi: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump” dhe mediat kanë publikuar disa ekstrakte.
Në librin-eksploziv jepen detaje për martesën mes Trump dhe Melania. Aty thuhet se kjo e fundit nuk u duk e lumtur kur i shoqi fitoi presidencën.
“Lotët e saj nuk ishin lot lumturie”, thuhet në libër.
Autori pretendon se Trump dhe e shoqja kalojnë shumë pak kohë bashkë. Madje para se të bëhej president, ajo shpesh nuk e dinte se ku është i shoqi.
“Ai dhe Melania kalojnë relativisht pak kohë bashkë. Ata mund të kalojnë ditë të tëra pa asnjë kontakt, edhe nëse janë së bashku në Kullën Trump”.
Melania po ashtu di shumë pak gjëra për bizneset e bashkëshortit, kurse ky i fundit e përshkruan atë si ‘gruaja ime trofe’ përpara të tjerëve.
Në libër thuhet se Trump i kushton shumë pak kohë të birit, Barron.
Autori pretendon se presidenti dhe ish-shefi i strategjisë, Steve Bannon ishin kaq të afërt, sa hanin darkë gjithmonë bashkë.
Nëse nuk hanin darkë në orën 6:30, Trump shkonte në rezidencë ku hante çizburger në krevat, duke parë tre ekrane televizorësh dhe duke sharë mediat në telefonatat që bënte me miqtë.
Në libër thuhet se presidenti ka shtuar një çelës në dhomën e tij të gjumit sapo nisi punën.
Po ashtu, Trump u ulërinte vazhdimisht pastrueseve, që mundoheshin të vendosnin rregull.
“Nëse këmisha ime është në dysheme, është për shkak se dua të jetë në dysheme”, mendohet se u thoshte Trump.
Trump i thoshte stafit të mos prekte asgjë, sidomos furçën e dhëmbëve, nga frika se mos e helmojnë.
Ai madje rregullon vetë krevatin dhe u thotë shërbëtoreve se kur duhet t’ia lajnë çarçafët.
Në libër thuhet se presidenti preferon që të hajë McDonald’s për shkak të frikës se mos e helmojnë. Arsyeja se përse ai pëlqen ushqimin e shpejtë është se askush nuk e di se ku do shkojë porosia dhe kështu ushqimi është i sigurt.