Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov ka dhënë detaje nga evakuimi i banorëve të qytetit, pasi u vendos një armëpushim me Rusinë.
“Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës. Marrëveshja u vendos vetëm pak orë më parë, ndërsa armëpushimi nisi në orën 9 të mëngjesit me orën lokale. Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të provuar të nxjerrim njerëzit jashtë banesave apo strehimoreve. Kemi gjetur 50 autobusë që të bëjnë evakuimin e qytetarëve. Njerëzit mund të largohen edhe me makinë private. Ne mendojmë se gjithsej 7-9000 persona mund të ikin me autobusë dhe me makinë private, nëse armëpushimi qëndron.”, tha ai.
Zyrtari pohoi se nuk ka trena që të bëjnë të mundur largimin prej aty të qytetarëve, pasi infrastruktura është shkatërruar nga trupat ruse.
“Ne ende nuk kemi garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër. Ne po punojmë për këtë tani. Duhet të kuptoni që qyteti ka katër ditë që ka mbetur pa infrastrukturë, kështu që është e vështirë t’u jepni njerëzve informacione.”, pohoi zyrtari.


