Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votoi sot me 5 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për ndërprerjen e mandatit të dy deputetëve, atij të PDIU Aqif Rakipi dhe të LSI Gledion Rehovica.
Por KQZ ka 7 anëtarë dhe për shkak të rëndësisë që kishte kjo vendimarrje, pyetja shtrohet se kush janë dy anëtarët që nuk votuan në këtë vendimarrje gjë që praktikisht, do të thotë se ata ishin KUNDER heqjes së imunitetit për dy deputetët që i kapi ligji i dekriminalizimit.
“AlpeNews.al mësoi nga burime të KQZ, se njëri nga anëtarët, Hysen Osmani i zgjedhur në këtë pozicion me mbështetjen e PD nuk ka qënë i pranishëm në mbledhje. Duhet përmëndur faktin se ai nuk ka qenë i pranishëm as në mbledhjen e parë të KQZ më 3 janar, u mësua se shkak për mungesën e tij, është deklaruar vijimi i pushimeve të festave të fundvitit, jashtë vendit.
Përsa i përket anëtarit të dytë, Gëzim Veleshnjën (LSI) që ka qënë në debat, madje shumë aktiv, kur 5 anëtarët e tjerë u tërhoqën për vendimin ai nuk u paraqit më në dhomën e këshillimit, duke mos marrë pjesë në votim.
Megjithatë, gjatë debatit publik qëndrimet e tij kanë treguar se ka qenë kundër heqjes së mandateve.
Anëtarët e tjerë që votuan PRO heqjes së mandateve:
Klement Zguri (Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve)
Denar Biba (Nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve)
Bledar Skënderi (Anëtar. I propozuar nga PS)
Edlira Jorgaqi (Anëtare. E mbështetur nga PS)
Vera Shtjefni (Anëtare. Propozuar nga PD)
Përgatiti: AlpeNews.al









