Mbledhja e radhës e Komisionit të Ligjeve ka nisur edhe sot me akuza mes palëve politike lidhur me çështjen e bujshme “Tahiri”. Në nisje të mbledhjes, pak para se PD-ja të braktiste punimet e komisionit, deputeti demokrat Eduard Halimi ka akuzuar qeverinë se është palë me krimin dhe ka bërë marrëveshje me të.
“Qeveria ka bërë marrëveshje me krimin, ne vend qe te mbroje Zaganin, e sulmon atë duke i dalë në mbrojtje Habiljave. Zagani nuk kishte armik kryeministrin, por Habilajt. Ju, në vend ta dëgjonit si oficer policie, e fusni në burg për t’i lënë fushë veprimi Habilajve”- tha Halimi dhe fill pas tij, demokratët lanë sallën e mbledhjes.
Në mbledhje kanë qëndruar deputetët e LSI-së, Nasip Naço dhe Edmond Panariti.
Në prani të tyre, deputeti Tom Doshi nuk i ka kursyer thumbat. “Pse u ndatë nga shoket?! Ata ikën”, iu drejtua ai deputetëve të LSI-së.


