Pas 1 ore e 30 minutash, protesta e mbajtur nga opozita është mbyllur, edhe pse leja ishte marrë për 2 orë.
Fjalën hapëse e mbajti kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili u shpreh se kjo protestë do të zgjasë çdo javë deri sa kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku të japin dorëheqjen.
Në foltoren e vendosur përpara Kryeministrisë folën gjithashtu deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dhe disa protestues.
Protesta ishte e qetë, në të cilën nuk pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Kjo, pasi në protestë nuk kishte as 300 vetë, numri më i ulët për një protestë kombëtare të organizuar nga PD.
“Kjo foltore themelon atë lëvizje të fuqisë që do i japë këtij regjimi ndëshkimin që meriton. Përshëndesim me mirënjohje të gjithë ata që morën pjesë, që e ndoqën këtë foltore e cila do shndërrohet në një gur frymëzimi.
Kjo foltore unike do realizojë bashkimin e shqiptarëve në idealin e votës së lirë. Mirupafshim, foltoren tjetër po në këtë shesh, gjer në fitore”, tha Berisha në mbyllje të protestës.


