Personi që bënte sekserin tek gjykatësi Shkëlqim Miri rezultoi të ishte kushëriri I tij. Ndaj Kujtim Mirit gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e “arrestit me burg”. Mbi kushëririn e gjykatësit rëndon akuza e korrupsionit. Kujtim Miri luajti rolin e sekserit midis gjykatësit Shkëlqim Miri dhe të akuzuarit për vrasje Gentian Dodës./AlpeNews.al/
Kush është gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri
Shkëlqim Miri ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës që nga viti 2010, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në vitin 2012-të dhe më herët gjyqtar i Apelit në Durrës (para 2010). Një nga çështjet më të rëndësishme që ka kaluar në gjykimin e Shkëlqim Mirit ka qenë dosja e Gërdecit, ku ai ka qenë pjesë e një prej proceseve gjyqësore.
Si ka nisur ngjarja
Gjyqtari Shkëlqim Miri pas verifikimeve të bëra nga policia në banesën e tij ku i janë gjetur 300 milion lekë, është ndaluar nga policia e shtetit. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u ushtrua kontroll në banesë dhe iu gjetën rreth 300 milionë lekë të vjetra. Gjyqtari Miri u akuzua për ” korrupsion aktiv dhe korrupsion pasiv: “favorizim i një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme.” Mirit iu gjetën në banesë 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë. Shkëlqim Miri kishte rreth një vit që ishte në hetim nga policia.


