Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, lëshon alarmin e borxhit. Sipas saj, borxhi publik në nivel global ka arritur në 164 miliardë dollarë. Lagarde thotë se borxhi publik në ekonomitë e zhvilluara është në nivele që nuk janë parë ndonjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore.
“Borxhi i lartë i bën qeveritë, kompanitë dhe familjet më vulnerabël ndaj shtrëngimeve financiare”, thotë Lagarde.
Drejtoresha e përgjithshme e FMN-së kritikon edhe tarifat mbi importet të vendosuar nga SHBA dhe Kina mbi mallrat e njëra-tjetrës, një zhvillim që është konsideruar gjerësisht si “lufta tregtare”.
“Tarifat mbi importet nuk janë rruga më e mirë për t’u përballur me disekuilibrat tregtarë”, thotë ajo.
“Qeveritë duhët të shmangin proteksionizmin në të gjithë format e tij. Historia na ka mësuar se shtrëngimet në import i dëmtojnë të gjithë dhe rëndojnë sidomos mbi konsumatorët e varfër”, thotë Lagarde.
Megjithatë, ajo është optimiste për rritjen ekonomike botërore dhe thekson se qeveritë duhet të përdorin rritjen aktuale për të çuar përpara reformat.
“Dritarja e mundësive është e hapur. Ne duhet të riparojmë çatinë në kohën kur del dielli.
Reformat e nevojshme mund të jenë shpesh politikisht të vështira, por janë më efikase dhe të lehta për t’u përmbushur kur ekonomia rritet. Ne kemi nevojë për më shumë kurajë, në zyrat e qeverive, në ato të kompanive dhe në mendjet tona”, thotë ajo.(TemA TV)


