Me theksin te vendosmëria për të çuar përpara reformat e nisura nga Senida Mesi në shërbimet publike dhe administratën shtetërore, Erjon Braçe ka mbajtur pasditen sotme fjalimin e parë si Zëvendës Kryeministër i Shqipërisë.
Sipas tij, kushdo që ka zgjedhur të punojë në shërbim të qytetarëve, duhet të ndjekë ritmin e qeverisë në mënyrë që çdo qytetar të marrë atë që i takon në dyert e shtetit dhe për të adresuar problemet që shqetësojnë shqiptarët e zakonshëm.
Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë, ndërsa mori detyrën e tij, adresoi një mesazh të rëndësishëm për ato që i cilësoi probleme 28 vjeçare të arsimit në vend që po zgjidhen më në fund nga qeveria Rama.
“Jemi në rrugë e sipër për të zgjidhur një pjesë të problemeve 28 vjeçare të arsimit. Dua t’i çoj një mesazh gjithkujt që e mendon të lehtë mbledhjen e karrigeve, aseteve të universitetit për të bllokuar dyert. Nuk duhet të jetë kurrë në ADN-në e studentit mbyllja dhe izolimi. Hapja dhe komunikimi, dialogu dhe marrja e çdo gjëje të mirë prej universitetit, do mbetet në ADN-në e tyre. Ajo pakicë doli si barrikadë për të izoluar universitetin dhe për të lënë mënjanë mijëra studentë që duan mësim”, tha Braçe.
“Ta shajë kushdo këtë qeveri, ta sulmojë kushdo, kjo qeveri zhduku korrupsionin në sistemin e pranimit në universitet. Kjo qeveri, ta kundërshtojë kushdo, zhduku univeristetet banale të një qeverie të mëparshme që relativizoi arsimin publik, e luftoi arsimin publik dhe e konkurroi në mënyre të turpshme me diploma që lëshoheshin për njerëz që nuk u ulën kurrë në bankat e shkollës”, deklaroi zëvendës kryeministri.


